Mos më zini për budalla!

Mos më zini për budalla!

Nga: Ibrahim SKENDERI


• Periudha, 1990-1999, ishin vitet më të rënda për shqiptarët në Kosovë. Serbia, përmes masave represive, i mori të gjitha. Bile edhe ajrin, të cilin nuk arriti ta administrojë me ligje të dhunshme, e helmoi. Qoftë e kaluar!
Po ne vallë, si patëm dije e forcë të homogjenizohemi, të formojmë shoqata, klube e institucione, gjatë viteve 1990-1999?! Çudi! Mbase, veprime instiktive për tu mbrojtur?! Mbase?!
Sot, kur dhunën serbe nuk e kemi mbi kokë, institucionet në krizë. Shoqata e klube krijuesish, me status të OJQ-së, nuk veprojnë si institucion por vetëm si pronë BOSS-ash. Matrapazët dolën të jenë më të aftë dhe më të shkathtë se intelektualët krijues. Shumë nga BOSS-at, edhe si diletantë, pa fuqi profesionale e intelektuale, regjistruan OJQ-të e tyre. OJQ-të që me qëllimin më të mirë na i solli përvoja demokratike evropiane por, të cilat (me përjashtime) në praktikë u keqpërdorën dhe u bënë antipropagandë e qëllimit të themelimit të tyre.
Në aspektin menaxhues, më i “madhi” nga tre themeluesit e OJQ-së (sikur e kërkon ligji për regjistrimin e OJQ-ve), merr mandatin e BOSS-it. Ai automatikisht bëhet zotërues i projekteve, i donacioneve, i parave, i urdhrave dhe i gjithçkaje, pa i dhënë llogari askujt. Kurse intelektualët, veçmas ata krijues, mbesin në rolin e argatit dhe i nënshtrohen autoritarizmit dhe tekave denigruese të BOSS-it.
Ndonëse dihet mirëfilli, se intelektual nuk mund të jetë patjetër secili që kryen një shkollë, por ai që aftësitë e veta intelektuale e krijuese i ve në shërbim të popullit dhe atdheut, ndër krijuesit tonë po ndodh e kundërta; Gjithçka në shërbim të BOSS-it! Sepse ai BOSS-i na qenka i gjithëfuqishmi dhe i gjithëdijshmi. Ai po i afirmuaka krijuesit! Thjesht, fati i krijuesit na qenka në duar të BOSS-it?!

Keq, shumë keq!

Në realitetin tonë po ndodh, madje që në qytete dhe në nivel komunash, krijuesit letrarë të mos kenë një adresë. Nuk kanë kurrfarë shoqate a klubi që i bashkon si komunitet, sikur i kishim në vitet e homogjenizimit. Edhe ato shoqata e klube me traditë afër gjysmëshekullore, duket, jo rastësisht qenkan shkatërruar dhe pengohet riaktivizimi i tyre. Ndërkaq, krijuesit e padjallëzuar, vetëm sa për tu kyçur në ndonjë aktivitet, për të lexuar një t’vetme poezi në ndonjë orë letrare, detyrohen të endën domosdoshmërish pas BOSS-it, duke ia privuar edhe të drejtat vetvetes. Nuk guxojnë as të marrin pjesë në ndonjë aktivitet, manifestim a festival, nëse nuk është në interes të BOSS-it.
Unë, si autor i këtij shkrimi, jo se jam më i mençuri e më i dituri. Por, përvoja e hidhur e troçexhisë, veçmas pas luftës në Kosovë, më shtyri të rebelohem. Së pakut të mos vdes si argat i përjetshëm i BOSS-ave mosmirënjohës dhe pa u thënë “Mos më zini për budalla!”.

Thirrje!

Zemërthyer e barkplasur u bëj THIRRJE kolegëve të mi krijues, të mos e pranojnë nënshtrimin. Të mos ia zgjasin jetën të keqes. Askënd dhe kurrë nuk do ta afirmojë BOSS-i, por puna vetanake krijuese. Prandaj, të mblidhen të formojnë institucione “Shoqatë” apo “Klub” qoftë. Të zgjedhin kryesi e kryetar. Të hartojnë e veprojnë me Rregullore pune dhe Plan vjetor. Thjesht të veprojnë sipas normave demokratike. Kështu, duke krijuar kushte për vendimmarrje demokratike, me shumicë votash do të arrijnë të krijojnë selinë e tyre, adresën e selisë dhe zyrtarët organizativë mandatorë, dhe kësisoj do të krijojnë kushte për punë, aktivitet e vendimmarrje ekipore; Do të krijojnë kushte bashkëpunimi me shoqata e klube simotra, në nivel vendi, nivel gjithëkombëtar dhe ndërkombëtar; Do të shtojnë mundësinë për prezantim dhe afirmim të punës së tyre krijuese, përmes aktiviteteve letrare dhe editimeve; Do të krijojnë kredibilitet për të qenë edhe anëtar i ndonjë klubi, shoqate apo lidhje në nivelin republikan, gjithëkombëtar apo ndërkombëtar; Do t’i sjellin qytetit dhe komunës së tyre manifestime e festivale. E jo t’i largojnë ato, sikur po ndodh aktualisht, për interesa të BOSS-ave. Kjo nënkupton, të sjellin edhe dobi ekonomike për qytetin dhe komunën ku veprojnë. Kështu do t’i jepet mundësi prezantimit dhe afirmimit të krijuesve të rinj. Përfundimisht, duke e ruajtur dinjitetin prej krijuesi e intelektuali, do të mundë të jenë vetvetja. Mbi të gjitha, me transparencë do tu mbyllen shtigjet matrapazëve uzurpatorë të gjithçkaje në jetën tonë, të cilët edhe krijuesit dhe krijimtarinë e tyre, përmes fuqisë politike, i shfrytëzojnë si trampolinë, vetëm për qëllime dhe përfitime të tyre materiale.

Leave a Reply