Lereni të shuhet në heshtje vrasësi i padukshëm!

Lereni të shuhet në heshtje vrasësi i padukshëm!

Nga: Silvana BEGAJ


• Të vrasësh një njeri, është krim. Por, të vrasësh shumë njerëz, është diçka e tmerrshme!
Shpesh, ne qëniet njerëzore, jemi shumë të çuditshëm! Hapim luftëra me vite dhe vrasim llojin tonë, pa na u dridhur qerpiku. Vrasim në momente dobësie, vrasim aksidentalisht… Por, të gjitha këto vrasje kanë një arsye. Në luftë, ne i ndajmë njerëzit në të mirë dhe të këqinj, në momente dobësie i ndajmë në fajtorë dhe provokatorëë, në rast aksidenti themi se ashtu ishte e shkruar nga Zoti… Por, ka dhe forca më madhore se sa forca njerëzore. Ka armë më vdekjeprurëse se ato që ne përdorim. Ka vrasje më të tmerrshme se ato që ne mendojmë… Sot, vrasësi mban emrin Papërgjegjshmëri! E këtë dreq vrasës në po e rrisim çdo ditë! Unë dua të besoj që ne nuk kemi nevojë për masa ndëshkuese, as për masa të rrepta. Ne e dimë që jemi në kohë të vështira! Ne e dimë që e vetmja gjë që kemi tani në dorë, është të ndjekim rregullat, të mbrojmë veten dhe të tjerët.
Çdo ditë po vdesin njerëz! Sa e trishtueshme! Refuzoj të pranoj që do t’ketë edhe më shumë… Refuzoni edhe ju dhe bëni kujdes. Me vdekjen nuk ka trimëri dhe nuk besoj që një njeri i aftë mendërisht të luaj me probabilitete. Nëse harroj të marr frymë për një minutë a dy, më zgjo! “Kam qenë njëherë gjallë dhe gjithçka mund të filloj nga e para”, thotë Xhojsi tek vepra e tij “Të vdekurit”.
Eh, nëse je gjallë, vërtet mund tia fillosh nga e para! Por, a e kuptojmë ne rëndësinë e të qënit gjallë? Ne, shqiptarët, kemi vuajtur aq shumë sa nuk e dallojmë dot fijen ndarëse midis jetës dhe vdekjes. Por, mos harroni shpresën. Unë jam e sigurt dhe e di që edhe në jetën tonë të vështirë ka grimca lumturie!
Mos i humbni ato! Një grimcë e vogël lumturie, mund të shkëlqej një qiell të errët.
Shqiptarë! Shqiptarë të mi! Shqiptarë të dashur! Tregoni qytetari që të dalim fitimtarë edhe në këtë luftë të ashpër dhe të trishtë. Unë besoj tek ju, prandaj të bëhemi bashkë dhe ta mbrojmë njeri-tjetrin!
Pas kësaj ndoshta do t’kuptohet që jeta është shumë e shkurtër për t’u përçarë e ndarë për arsye politike, për një metër tokë, për një fjalë goje apo për arsye të tjera. Vrasësi i padukshëm, sot po vret më shumë se ai që e njohim. Mos e ndihmoni! Lëreni të shuhet në heshtje! Askush nuk meriton të vdes pa emër, vetëm si numër. Bashkë do t’ia dalim, bashkë jemi më të fortë se çdo gjë!

(Autorja ka studiuar për ekonomi në Universitetin e Tiranës. Aktualisht punon si ndihmës-pedagoge në Universitetin e Gavles, në Suedi. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)