Dragashi ndan 120 mijë  euro për parandalimin e virusit COVID-19

Dragashi ndan 120 mijë  euro për parandalimin e virusit COVID-19

Dragash, 27 mars 2020 – Kuvendi i Komunës së Dragashit, në mbledhjen e sotme urgjente, njëzëri e ka votuar propozimin për ndarjen e shumës prej 120 mijë euro, për t’i plotësuar nevojat që dalin në këtë situatë emergjente për parandalimin e virusit COVID-19.
Kryetari i Komunës, Shaban Shabani, që në fillim të fjalimit të tij i ka falënderuar kuvendarët për bashkëpunim, spektrin politik, shtabin emergjent, stafin shëndetësor, zyrtarët policor, zjarrfikësit, punonjësit e kompanive regjionale, Bashkësinë Islame, Kryqin e Kuq, komunitetin e biznesit, UNICEF-in, Njësinë e KEDS-it në Dragash, si dhe mediat e kompanitë e ndryshme që vullnetarisht kanë ndihmuar në forma të ndryshme. Nga ana tjetër, kuvendarët e kanë mbështetur kryetarin Shabani për menaxhimin e kësaj situate në komunën e Dragashit, duke dhënë edhe rekomandime si se të veprohet më tej, në mënyrë që e gjithë kjo situatë të menaxhohet sa më mirë.
Duke e mbështetur propozimin për ndarjen e kësaj shume financiare, disa nga kuvendarët kanë shprehur brengën e tyre për mërgimtarët e shumtë që kanë ardhur nga vendet e prekura me këtë virus, duke kërkuar që organet kompetente të fokusohen më shumë tek kjo shtresë e popullatës. Ndërkohë, nga qytetarët, këshilltarët e kuvendit kërkuan që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe t’i respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) dhe të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), në mënyrë që të tejkalohet sa më lehtë kjo situatë.