Dragash: Shkarkohet kryesuesi i Kuvendit, Uran Halimi!

Dragash: Shkarkohet kryesuesi i Kuvendit, Uran Halimi!

Dragash, 24 nëntor 2023 – Me kërkesë të pozitës (LDK) është shkarkuar kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Dragashit, Uran Halimi, i cili ishte emëruar në këtë pozitë, po me përkrahjen e LDK-së, pas një marrëveshje paraprake.
Shkarkimi i kryesuesit, i cili vjen nga radhët e LV-së, ishte renditur si pikë e parë e rendit të ditës, në mbledhjen e dytë të jashtëzakonshme për këtë vit, ku si arsyetim ishte potencuar një varg pakënaqësish, lidhur me mbarëvajtjen e mbledhjeve të legjislacionit komunal.
Para se të miratohej rendi i ditës, Halimi e ka quajtur këtë veprim të LDK-së si tradhti e radhës, pasi ka konsideruar se ishin tradhtuar edhe në fillim të konstituimit të organeve drejtuese të Komunës, pas zgjedhjeve të fundit lokale. “Fillimisht na tradhtuat, kur e prishët koalicionin me ne, me të përfunduar zgjedhjet. Tani kjo kërkesë për shkarkimin tim është tradhti e radhës nga ana juaj”, ka thënë mes tjerash Halimi.
Pas shumë debateve, me shumicë të thjeshtë votash (15 nga 27), u shkarkua kryesuesi, Uran Halimi, i cili ishte emëruar në këtë pozitë dy vjet më parë.