Thaçi: Mediat nuk e kanë kuptuar mesazhin e Xhejms Rubinit!

hashim-thaci-habitetPrizren, 23 nëntor 2013 – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk beson se ish-diplomati amerikan, Xhejms Rubin, ka shkuar aq larg, sa t’i kërkojë krahut të luftës që të largohet nga pushteti. “Mesazhi i Rubinit është keqinterpretuar nga mediat. Atë e kam mik dhe në Kosovë ka ardhur me ftesën time”, ka thënë Thaçi në Prizren, ku ka qëndruar për t’i dhënë mbështetje kandidatit për kryetar të Prizrenit, Ramadan Mujës.
Ish-diplomati amerikan, Xhejms Rubin, citohet t’i ketë thënë gazetës “Zëri”, se duhet të vijë koha, kur krahu i luftës ta kuptojë se është mirë të largohet nga pushteti, derisa janë ende të popullarizuar dhe, të mos presin derisa të bëhet shumë vonë. “Unë shpresoj që njerëzit, të cilët kanë qenë aq të rëndësishëm për revolucionin dhe lirinë tuaj, e kanë mençurinë të largohen, tani kur janë në majë të suksesit të tyre”, citon kjo gazetë Rubinin. Ndërkaq, kryeministri Thaçi, i nxitur nga mediat për ta komentuar këtë citat të Rubinit, tha se ish-diplomati amerikan, Xhejms Rubin, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën. “Unë e falënderojë për kontributin që ka dhënë për Kosovën, edhe gjatë luftës edhe pas saj”, ka thënë Thaçi të shtunën në Prizren, ku është takuar me partnerët e koalicionit nga radhët e minoriteteve, të cilët janë rreshtuar me PDK-në për ta mbështetur në balotazh kandidatin e kësaj partie për kryetar të qytetit historik, i dyti në Kosovë për nga numri i banorëve.