Putin: Krimea, gjithmonë pjesë e Rusisë – Ndoqi shembullin e Kosovës!

marreveshja rusi krimeMoskë, 18 mars 2014 – Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se rezultati i referendumit të zhvilluar në Krime, ku 96 për qind e pjesëmarrësve u shprehën në favor të bashkimit me Rusinë, është mjaft bindës. Duke folur sot në një seancë parlamentare, Putin përmendi edhe lidhjen historike dhe kulturore mes Rusisë dhe Krimesë, duke shtuar se Krimea është pjesë e patjetërsueshme e Rusisë. “Në zemrat tona Krimea ka qenë gjithnjë pjesë e Rusisë”, tha Putin, duke e njoftuar zyrtarisht parlamentin për kërkesën e Krimesë që t’i bashkohet Rusisë, veprim ky që përbën hapin e parë legjislativ drejt aneksimit të këtij gadishulli të Ukrainës. “Krimea e ka shfrytëzuar atë të drejtë që iu dha Kosovës. Mirë është që Evropa dhe SHBA-të u kujtuan se ekzistojnë disa të drejta ndërkombëtare. Unë i falënderoj për këtë, sepse më mirë është ta kuptojnë vonë se kurrë”, ka thënë Putin, fjalimi i të cilit u përcoll me duartrokitje nga deputetët. Putin ka shtuar se Parlamenti i Krimesë, duke shpallur deklaratën e pavarësisë, është thirrur në atë që bëri Ukraina, kur u shkëput nga Bashkimi Sovjetik. “Faktikisht është njëjtë. Ukraina e shfrytëzoi të drejtën e saj për shkëputje, ndërsa Krimesë nuk po i lejon këtë. Pushtetarët e Krimesë u thirrën edhe në efektin e Kosovës, të cilin e krijuan partnerët tanë nga Perëndimi. Ata e njohën si legjitime ndarjen e Kosovës nga Serbia, duke mos i marrë për bazë qëndrimet e pushtetit qendror në Serbi”, ka thënë Putin.

Leave a Reply