Në Rusi, 14 persona u vranë në një sulm terrorist!

trolrjbusi volgograd rusiVolgograd, 30 dhjetor 2013 – Katërmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe, së paku 23 të tjerë, përfshirë edhe një fëmijë njëvjeçar, janë plagosur nga shpërthimi në një trolejbus, i cili ndodhi në qytetin Volgograd të Rusisë.
Raportet fillestare kanë thënë se bëhet fjalë për sulm terrorist, por Komiteti Antiterrorist i Rusisë ka thënë se shpërthimi mund të ketë ndodhur nga bomba e vendosur në zonën e pasagjerëve në automjet. “Një nga teoritë e mundshme është që mjeti shpërthyes të jetë vendosur në pjesën e pasagjerëve të trolejbusit”, ka thënë zëdhënësi i Komitetit Antiterrorist, Dmitrij Pavlov.
Shpërthimi i sotëm ndodhi, një ditë pasi 17 persona janë vrarë nga një sulm vetëvrasës, në një stacion treni në këtë qytet. Zyrtarët thonë se po hetohet, nëse shpërthimi i sotëm është po ashtu terrorist, si ai i së dielës. Përgjegjësinë për këto sulme ende nuk e ka marrë ndonjë grup, por raportet ruse në shënjestër kanë vënë militantët islamikë.
Volgogradi, i njohur dikur si Stalingrad, ndodhet rreth 700 kilometra në verilindje të Soçit, i cili në muajin tetor është goditur edhe nga një tjetër sulm vetëvrasës, në të cilin kanë humbur jetën shtatë persona. Hetuesit kanë thënë se sulmuesja ka pasur lidhje me islamistët, në Kaukazin Verior.
Kremlini zyrtar ka thënë se presidenti, Vladimir Putin, ka takuar kreun e Shërbimit Federal të Sigurisë, Aleksandër Bortnikov, i cili e ka informuar për shpërthimin e sotëm.

Leave a Reply