Përçarja që bën SHIK-u në Kosovë!

opinion rexhep shahuNga: Rexhep SHAHU


• Shërbimi sekret i Shqipërisë (SHIK) ka marrë shumë jetë shqiptaresh të Kosovës. Dhe nuk u ngop kurrë. Nuk u pendua kurrë. Përkundrazi, kërcënon sot e gjithë ditën, ngatërron e përçan Kosovën çdo ditë.
Në kohën e Enver Hoxhës janë mijëra e mijëra shqiptarë të Kosovës që kanë vdekur burgjeve, kampeve të përqendrimit në Shqipëri, janë vrarë në kufi dhe shërbimi sekret i etiketonte shqiptarët, që iknin nga shiu e binin në breshër, si spiunë e agjentë të UDB-së jugosllave. Duke harruar se themeluesit e shtetit komunist të Shqipërisë ishin serbët apo malazezët – jugosllavët, Dushan, Miladin e plot shefa të tjerë të Shqipërisë. Nëse harrohet kjo është verbëri me dashje në Kosovë.
Shërbimi sekret i Shqipërisë në luftën për Kosovën, në emër të dashurisë për Kosovën, ka instaluar përçarjen e shqiptarëve në Kosovë. Lufta me e pështirë e nëndheshme, mbështjellë me vellon e luftës për lirinë e Kosovës, ka qenë lufta me ia marrë pushtetin Ibrahim Rugovës, sidomos kur mbaroi lufta e shqiptarëve dhe filloi lufta e Amerikës e NATO-s për Kosovën në fundmars 1999.
Eksponentët politikë të krahut të armatosur UÇK, jo profesionistë, shumë inferiorë ndaj SHIK-ut të Shqipërisë, i shihnin punonjësit e SHIK-ut si zotat, sikur lirinë e Kosovës e kishin në dorë shiksat e Shqipërisë. SHIK-u i Shqipërisë i diktonte eksponentët e UÇK-së dhe ky shërbim u bë politik sepse bëri diferencim racor të fëlliqtë kundër njerëzve të qeverisë së Kosovës, kundër FARK-ut, kundër oficerëve profesionistë. Sa më të paditur njerëzit aq më shumë i mistershëm behej SHIK-u. Sa më shumë vese të kishin njerëzit, aq më shumë i pickonte e tërhiqte për hundë SHIK-u. Sa më shumë vidhnin, shpërdoronin, bënin kurvëri e luftë çlirimtare në hotele e motele të Tiranës e Durrësit individë të ndryshëm që shfaqeshin e u shfaqen si shpëtimtarë të Kosovës, e që Kosova pastaj i gradoi me pushtet pas lufte, aq më i pushtetshëm bëhej SHIK-u.
SHIK-u i di mirë gjithë vrasjet, gjithë lëvizjet e armëve, kujt ia lejonte transportin e armëve e kujt jo. Shumë personalitete të Kosovës që kanë qenë e janë personalitete me ndikim e rrezatim, i janë ruajtë si dreqit SHIK-ut. Sepse SHIK-u i Shqipërisë caktonte apo certifikonte se kush është shqiptar i mirë e kush i keq, kush duhet ta bejë luftën e kush jo, kush duhet ta marrë pushtetin pas luftës e kush jo.
SHIK-u i Shqipërisë do të ishte kombëtar po të mos përçante shqiptarët e Kosovës, po të mos i fuste hundët në çdo punë, sikur ai kishte në dorë certifikatën e lirisë së Kosovës.
Me i vu mutit majë, SHIK-u i vu fill pas luftës së Kosovës. Dërgoi eksponentë të tij në Kosovë për me i msue Kosovës se si bëhet, krijohet e vepron shërbimi sekret. Në këtë periudhë është bërë dëmi më i madh. Nëse njerëzit në Kosovë e harrojnë, le ta harrojnë për të zezën e vet. SHIK-u nuk dërgoi e punësoi vetëm njerzit e vet, por edhe në fusha e sektorë të tjerë të jetës në Kosovë, me ndikimin e ndërhyrjen e SHIK-ut shkuan punonjës e drejtues nga Shqipëria.
Pushtetarëve partizanë të pasluftës në Kosovë iu interesonte të ndihmoheshin nga SHIK-u i Shqipërisë, duke shfrytëzuar ligësisht dobësinë e dashurinë e njerëzve të Kosovës për Shqipërinë. Sepse, lufta që kishte nisë, sidomos në fundmars 1999, me ia marrë pushtetin Rugovës duhej çuar në fund dhe duhej fituar. Me Rugovën SHIK-ut i ka ndodhe kështu: Rugova mal i madh. SHIK-u përplaste kryet në këtë mal. Duke i ra malit me krye, iu rrit kryet SHIK-ut e iu bë sa një shinik. Por, mali mbeti mal.
Asgjë nuk është e thënë dhe e vendosur përjetësisht, sa i përket luftës së Kosovës. Nuk është luftë në kohën e Skënderbeut. Një ditë, sa të forcohet shteti i Kosovës, do të vritet frika e njerëzve. Dhe njerëzit kanë me dhënë dëshmi tronditëse. Njerëzit që shkruajnë e shpallin sot historinë e Kosovës, që emërojnë veteranë, që shesin tituj, grada e ndere, që blejnë vota në këtë mënyrë, që duan ta zhbëjnë luftën dhe qëndresën e UÇK-së, ta pordhosin, që gradojnë mutat, kanë me e vjellë veten. Përulja, deri në neveri, ndaj punonjësve të SHIK-ut të Shqipërisë, tregon se SHIK-u ende ka forcë në Kosovë, ende ka pengje në Kosovë, pengje pushtetar, pengje të mëdhenj, njerëz robër, skllevër. Është e pështirë që kur flet e ngatërron në mënyrë cinike një SHIK-s i Shqipërisë në Kosovë, njerëzve atje iu ndalet fryma. Trishtohem. Kosova, përveç gjakut të dëshmorëve e martirëve të saj, përveç familjes shqiptare të Shqipërisë, përveç Amerikës e NATO-s, nuk i ka askujt borxh moral në këtë rruzull tokësor.

Leave a Reply