Gjuha latine – sfidë e këndshme apo ballafaqim i vështirë!?

Gjuha latine – sfidë e këndshme apo ballafaqim i vështirë!?

Nga: Enver SULAJ


Titulli i këtij shkrimi përmbledh një mëdyshje në formë pyetjeje, që dëgjohet ndonjëherë nga prindërit e nxënësve që vijnë në Loyola-Gymnasium. Ata druajnë, nëse fëmijët e tyre do të mund ta përballojnë një lëndë të tillë.
Situatën e komplikon paksa edhe krijimi i një të ashtuquajturi mit mbi vështirësitë e pakapërcyeshme në të mësuarit e latinishtes.
Përvoja dhjetëvjeçare e mësimdhënies në Loyola-Gymnasium ka dëshmuar se procesi i mësimit të latinishtes është ashtu si i gjuhëve tjera (por edhe si i lëndëve tjera mësimore), natyrisht me veçantitë e saj. Por, duhet punë e vazhdueshme për të arritur njohjen e saj, ashtu siç është e domosdoshme edhe njohja e sistemit gramatikor të gjuhës amtare, për të përballuar konceptet gjuhësore latine. Një qasje metodike bashkëkohore e mësimdhënies, mbështetur në tekste shkollore përkatëse, është një bazë e mirë për një sukses dhe nxënie sa më të lehtë të kësaj gjuhe.
Të mësuarit e latinishtes nuk është thjesht të mësuarit edhe të një gjuhe më shumë (krahas gjermanishtes e anglishtes); është më shumë se kaq – është të mësuarit e historisë e kulturës romake që qëndron në rrënjët e qytetërimit perëndimor; është sistemi i të menduarit që krijoi vlera të përbotshme, e që arriti në sfera të zhvillimit e të përparimit të paimagjinueshme më parë. Duke mësuar latinishten, nxënësit nxiten vetvetiu të bëjnë edhe analizë krahasimtare me shqipen, si në morfologji e sintaksë, ashtu edhe etimologji të fjalëve, por pse jo, edhe nxitjen e kureshtjes për të njohur historinë, traditën e kulturën e të parëve tanë – ilirëve dhe raportet e tyre me perandorinë më të fuqishme të kohës.
Përvoja e të tjerëve tregon se ata që e kanë mësuar mirë latinishten, nuk kanë pasur fare vështirësi që të mësojnë gjuhët tjera. Duke mësuar latinishten, nxënësit poashtu shohin pikëtakimet e shqipes me këtë gjuhë të vjetër, duke rritur tek ta ndjenjën e përgjegjësisë për ruajtjen e gjuhës amtare dhe pastrimin e saj nga fjalët e huaja. Edhe ky aspekt është mjaft i rëndësishëm në këtë kohë të globalizimit, kur kulturat e vogla çdo ditë margjinalizohen e rrezikojnë edhe qenësinë e tyre. Fjalitë e shkurtra e mendimi i ngjeshur, janë poashtu tipare të latinishtes që ndikojnë gjithsesi në krijimin e një stili personal, përsosmërinë e shprehjes dhe figuracionin në të shkruar.
Të mësuarit e latinishtes është edhe një detyrim moral për të kaluarën tonë, është një përgjegjësi për të ardhmen. E shtruar në formë hipoteze, mund të thuhet se po të mos e njihte Gjon Nikollë Kazazi latinishten, nuk do të hynte në Arkivin e Vatikanit e të gjente aty “Mesharin”, librin e parë (të njohur deri më tani) në shqip. Po të mos dinte latinisht Marin Barleti, ne s’do të kishim sot librin e parë për heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, njohja e të cilit nuk do të arrinte aty ku është sot. Përmes latinishtes, ne hyjmë në botën krijuese të dijetarëve humanistë shqiptarë, si Barleti, Beçikemi, Maruli, Gazuli etj., por edhe të tjerëve më vonë që ndoqën modele shkrimore në këtë gjuhë. Duke mësuar latinishten, nxënësit kanë mundësi të shohin ndikimin e saj të thellë në gjuhët tjera, gjermanisht e anglisht (që i mësojnë në shkollë), e poashtu, edhe në gjuhën shqipe. Sipas gjuhëtarit të njohur shqiptar, Eqrem Çabej, latinishtja është gjuha që ka lënë më të thellat gjurmë në shqipen. “Ndikimi i saj shtrihet kryesisht në leksik, po nuk mungon dhe në formim të fjalëve. Në leksik ai ndihet, sidomos në këto sfera të jetës: pjesët e trupit, shtëpi, kafshë shtëpiake, vegla, armë e luftë, emra afërie (gjirie), emërtime të kohës, jeta kishtare, jeta shoqërore e tregtia, bujqësi e pemë, blegtoria, punimi i verës e i vajit, besimet popullore.” (E. Çabej, Studime gjuhësore III, fq. 54-55, Prishtinë, 1976).
Sipas shënimeve statistikore, në Loyola-Gymnasium, deri në vitin shkollor 2013-2014, maturën e kanë kryer 500 nxënës, ndërsa aktualisht janë 568 nxënës që çdo ditë e mësojnë këtë lëndë, që nga klasa e gjashtë e deri në të dymbëdhjetën. Këta të rinj e të reja që kanë dalë nga bankat e Loyola-Gymnasium janë një kontingjent i fuqishëm intelektual që do të reflektojë në të ardhmen e këtij vendi. Kur kësaj i shtohet edhe numri i nxënësve që e mësojnë çdo ditë këtë gjuhë, mund të thuhet lirisht se ky është një thesar i vërtetë, me të cilin do të duhej të mburreshim të gjithë.
Por, përveç mësimit në Loyola-Gymnasium, latinishtja do të duhej të ishte pjesë e programeve studimore në fakultete të ndryshme, sepse nuk mund të imagjinohet krijimi i kuadrove në fusha të caktuara pa njohjen e latinishtes. Vetë studiuesit e ndiejnë këtë mangësi në formimin e tyre intelektual, por është përgjegjësi që në të ardhmen këto mangësi të shmangen tek të rinjtë që do të fitojnë diploma universitare. Poashtu edhe ndonjë formë e stimulimit për të studiuar shkencat shoqërore mendojmë se do të ishte me interes për fusha të ndryshme të dijes, si gjuhësi, histori, arkeologji etj. Kështu, njohuritë e fituara në shkollimin paraprak të nxënësve tanë, nuk do të veniteshin në mënyrë graduale, por do të thelloheshin më tej.
Nxënësit e Loyola-Gymnasium, me rezultatet e larta në të gjitha lëndët, të dëshmuara në provimet e maturës, e me njohjen e tri gjuhëve, gjermanisht, anglisht e latinisht, i kanë hapur rrugë të sigurta vetes për të ardhmen. Është njëra nga përparësitë që ata kanë, e për të cilën ata meritojnë të vlerësohen në këtë vend, qoftë në provimet pranuese nëpër universitete, ose edhe në lehtësira tjera që duhet t’u ofrohen. Sepse është koha e fundit që të vlerësohet dija, e jo vetëm diplomat që po na zënë frymën gjithandej; të stimulojmë një brez të rinjsh që dëshmojnë çdo ditë që këtë vend e duan shumë e këtë dashuri e shprehin në dijet e thella që kanë. Në fund të shtatorit, gjatë një vizite me nxënësit e Loyola-Gymnasium në vendbanimin e lashtë arkeologjik në Ulpianë, afër Prishtinës, një student historie që e takuam aty u interesua të verifikonte faktin, nëse nxënësit tanë mësojnë latinisht. Kur e mësoi këtë fakt, me një ndjenjë mahnitjeje dhe habie njëkohësisht, tha: – Unë në fakultet nuk mësoj latinisht, kurse nxënësit tuaj mësojnë që në klasë të gjashtë. Nuk kanë thënë kot latinët e vjetër: “Sine lingua Latina nulla intelligentia”.