Shekulli i vrasjes dhe parasë!

Shekulli i vrasjes dhe parasë!

Nga: Silvana BEGAJ


• Përgjakja e një flamuri, edhe ashtu i gjakosur, në këtë tokë të gjakosur, nuk e justifikon identitenin kombëtar shqiptar! Kjo, sepse ne luftuam me guxim e trimëri kundër Perandorisë otomane, Italisë fashiste, Gjermanisë naziste dhe çdokujt tjetër që synonte të na mbante të pushtuar. E sot, ne po e vrasim, po aq trimërisht, njëri-tjetrin. Ndërkohë, përditë shohim se si qajmë për patriotizëm, sidomos kur valëvitet flamuri ynë, kuq e zi. Atë flamur që po e përgjakim vetë, çdo ditë.
Nuk kemi më nevojë për armiq. Nuk na duhet të rrisim fëmijë me trauma, vrasës të mundshëm të së ardhmes. Të veshim nëna me të zeza çdo ditë, sikurse në kohë lufte, kur prindi varros fëmijët dhe jo të ndodhë anasjelltas në kohë paqeje.
Sapo hap TV-në, radion apo hap rrjetet sociale, e para që shikon dhe dëgjon është se si burri vrau gruan, nënën e femijëve të tij, bashkëshorten e jetës, me të cilën ka ndarë çdo gjë, vajzën e dikujt, motrën e dikujt. Dhe, arsyeja? E vret se ka dyshime për tradheti, apo për…
Babai vret vajzën e tij, e që është në kundërshtim me çdo ligj natyre, i cili parashikon që prindi sakrifikohet për fëmijën e tij. Dikush tjetër vret shokun, pas një zënke të momentit , gjaknxehtë e vret në mënyrë çnjerëzore. Dikush e djeg ish-bashkëshorten, e torturon, e dhunon deri në grahmat e fundit të jetës. Dikush tjetër vret për hakmarrje pas 100 vjetësh, në emër të njerëzve të tij, e që ndoshta nuk i ka njohur fare. Dikush tjetër vret për pazare droge. Dikush tjetër vret sepse…
Sa gabim e kishte Lasgush Poradeci, tek “Vdekja e Nositit”. O njeri, i lindur nga njeriu… Si guxon dhe vret llojin tënd? Sa e lehtë është të shkrepësh armën… Me gjaknxehtësi apo gjakftohtësi, është thjesht një levizje gishti që krijon një pellg me gjak. Po ndërgjegjja ku shkoi? Ku na mbeti?!
Mëshirë! Ndjen më njeri mëshirë?! Apo, siç e shpjegon Remark: “Mëshira është faqja e pasme e gëzimit që një njeri ndjene qe ajo fatkeqësi nuk i ndodhi vetë atij por dikujt tjetër”.
Sikurse tek një tragjedi amerikane e Drajzerit, ambicia iu ka zënë sytë. Ambicia për një pushtet dhe madhështi të pavlerë. Gati gati, e quani veten perëndi që jep dhe merr jetë!
Thjeshtë, më lini t’ju kujtoj që, edhe Ju që vrisni, nuk do ta fitoni përjetësinë. Sokrati i madh thoshte: “Të gjithë shpirtrat e njerëzve, jane të pavdekshem por shpirtërat e të drejtëve janë të pavdekshëm dhe hyjnorë”
Me lini të fle më mirë! Në ëndrra, çdo gjë është më shpresëdhënëse! Me zgjoni, atëherë kur në tokën tonë të ketë ngjyrë të gjelbër kullose dhe jo ngjyrë të kuqe gjaku.

(Autorja ka studiuar për ekonomi në Universitetin e Tiranës. Aktualisht punon si ndihmës-pedagoge në Universitetin e Gavles, në Suedi. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)