Për mbeturinat në stadium, fajësohen zjarrfikësit!

berrloku invalidi pastrimiDragash, 11 gusht 2015 – Një invalid është parë të hënën duke pastruar mbeturinat në stadiumin e Dragashit, të cilat kishin mbetur që kur u zhvilluan garat e pehlivanëve, rreth një muaj më parë.
Pas publikimit të reagimit nga opozita, lidhur me këtë problem, sot kanë reaguar organizatorët e kësaj gare, duke thënë se faji nuk është i Komunës por i atyre që u paguan dhe punën nuk e kanë kryer me ndershmëri. “Ne i kemi paguar zjarrfikësit për këtë punë dhe nuk mund të hidhet faji mbi organizatorët e garës. Njësiti i zjarrfikësve është paguar për t’i pastruar ato mbetje, por duket se nuk e paskan bërë punën që iu është besuar”, tha sot për Radio Sharrin, Flamur Sylejmani, anëtar i Këshillit organizativ të garës së pehlivanëve.
Ndërkohë, në redaksinë tonë kanë ardhur edhe reagime nga KF “Opoja”, të cilët i kanë filluar stërvitjet e para në stadium. Kapiteni i klubit, Ditëlind Reshiti, ka treguar se përballja me stadiumin e stërmbushur me mbeturina, ishte e tmerrshme. “Fillimisht na është dashur t’i mbledhim mbeturinat e shumta, për t’i filluar më pas stërvitjet. Ishte gjë e shëmtuar dhe e turpshme, kur u përballëm me gjithë ato mbeturina që kishin mbetur në stadium, pas organizimit të garave të pehlivanëve. Ne edhe ashtu kemi shumë probleme që nuk po gëzojmë mbështetje dhe, kur na shtohet edhe kjo pengesë, paramendojeni se sa vullnet do të kemi gjatë aktiviteteve tona”, ka thënë Reshiti për Radio Sharrin.

Leave a Reply