Pak detaje nga marrëveshja, Mustafa – Vuçiq!

isa mustafa vucic marreveshjaBruksel, 10 shkurt 2015 – Që në takimin e parë si drejtues delegacionesh, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, si dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë vënë nënshkrimet në një marrëveshje, në kuadër të dialogut politik, Kosovë – Serbi.
Të dy kryeministrat nënshkruan në Bruksel marrëveshjen për drejtësinë, në pjesën veriore të Kosovës, pas shumë orë bisedimesh, me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, e cila vet e ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes, por pa dhënë detaje për përmbajtjen e saj. “Dy kryeministrat finalizuan marrëveshjen për drejtësinë dhe gjyqësinë në Kosovë, duke e mbyllur kështu kapitullin e implementimit të Marrëveshjes së Brukselit, e cila në mënyrë substanciale do ta përmirësojë jetën e njerëzve në teren. Unë e përshëndesë Isa Mustafën dhe Aleksandar Vuçiqin për këtë të arritur”, ka thënë Mogerini.
Sipas ndërmjetësueses evropiane, dy kryeministrat shkëmbyen pikëpamje për rrugën përpara dhe konfirmuan përkushtimin e tyre për të vazhduar në arritjen e progresit në normalizimin e marrëdhënieve. Ndërsa kryeministri Mustafa tha pas takimit se marrëveshja për drejtësi është e rëndësishme për Kosovën sepse, sipas tij, ajo siguron funksionimin e një sistemi unik gjyqësor në tërë territorin e Kosovës. “Do të vazhdojmë me çështje të tjera, në mënyrë që i gjithë vendi të integrohet dhe të ketë sovranitet në tërë territorin”, tha Mustafa para gazetarëve, duke shtuar se data e takimit të ardhshëm nuk është caktuar ende por ai pret që kjo të ndodhë së shpejti.
Ndërkaq, kryeministri serb Vuçiq, i ka vlerësuar bisedimet si të vështira, por u ndie si fitimtarë në këtë marrëveshje pasi siguron pjesëmarrjen e gjykatësve serbë në veri të Kosovës. Sipas tij, raporti i gjykatësve shqiptarë dhe atyre serbë në Gjykatën e Mitrovicës, do të jetë 14 me 11 në favor të shqiptarëve, ndërsa kryetari i Gjykatës në Mitrovicën e Veriut do të jetë serb.
Vuçiq shtoi se delegacioni i Kosovës ka insistuar që në bisedime të flitet edhe për “Parkun e Paqes” që është vendosur mbi urën e Ibrit, por ai nuk ka pranuar. “Ne nuk deshëm të bisedojmë për këtë, por deshëm të diskutojmë për Trepçën dhe Bashkësinë e Komunave Serbe”, tha Vuçiq.

Leave a Reply