Në Brrut varroset Jenuz Nebiu – Dyshohet nëse ishte viktimë e Covid – 19

Në Brrut varroset Jenuz Nebiu – Dyshohet nëse ishte viktimë e Covid – 19

Dragash, 27 qershor 2020 – Jenuz Nebiu (1963) është varrosur sot në fshatin e tij të lindjes, në Brrut të Dragashit, nën masat e sigurisë, ashtu siç po varrosen viktimat e virusit Covid-19. Por, askush nuk është në gjendje të thotë, nëse ai ishte viktimë e këtij virusi apo vdiq si pasojë e sëmundjeve kardiake.
Raporti i fundit i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës bën me dije se mbrëmë, në Klinikën Infektive, ka ndërruar jetë pacienti, Jenuz Nebiu, nga Prizreni. Por, në këtë njoftim nuk thuhet se i ndjeri është nga fshati Brrut, komuna e Dragashit. Madje, nuk thuhet nëse ishte viktimë e virusit Covid-19.
Një burim i besueshëm i stafit mjekësor tha për redaksinë tonë se i ndjeri, ndonëse ishte i dyshuar si i prekur me këtë virus famëkeq, ai ndërroi jetë nga një sulm në zemër. “I ndjeri ka qenë i prekur nga Corona, por ai vdiq si pasojë e arrestit kardiak. Fillimisht është diagnostifikuar pozitiv me këtë virus e pastaj, si komplikim, ka ardhur edhe arresti kardiak”, tha ky burim.
Sido që të jetë, i ndjeri njihet në këto anë si një përson tejet miqësor, i butë dhe tejet i sjellshëm. Kjo ka bërë që të mbeteshin të pikëlluar një masë e gjerë e popullatës nga komuna e Dragashit dhe jo vetëm, pasi ai jetonte dhe vepronte në qytetin e Prizrenit.