Kryesuesi i Kuvendit të Dragashit në luftë me C-19

Kryesuesi i Kuvendit të Dragashit në luftë me C-19

Dragash, 24 korrik 2020 – Si specialist anesteziolog, intenzivisti në SHSKUK, në Prishtinë, është në vijën e parë të frontit, në luftë kundër virusit famëkeq, Covid-19.
Ky është kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Dragashit, dr. Betim Merdiu, i cili kohën më të madhe e kalon me pacientët e prekur nga ky virus dhe me familjarët e tyre, ndonëse, siç thotë për redaksinë tonë, është i vetëdijshëm se ndodhet në rrezik që të infektohet edhe vet ai.
Pavarësisht kësaj, Merdiu nuk po mjaftohet vetëm me punën që po bën aktualisht por edhe po mundohet të jap kontribut rreth parandalimit të këtij virusi, duke bërë thirrje tek popullata që të kenë kujdes dhe mos ta marrin këtë pandemi si shaka. “Aspak nuk është shaka kjo punë. Jemi dëshmitarë se të infektuarit po shtohen, sikurse ata që po përfundojnë tragjikisht në këtë betejë, madje edhe kolegët tanë. Prandaj, bëni kujdes maksimal. Nëse ju shfaqet ndonjë nga simptomat tashmë të njohura, mos dilni jashtë, izolohuni. Kjo nënkupton që të izoloheni dhe mos të kontaktoni fizikisht as me familjarët për një kohë, derisa të bindeni se jeni shëndoshë e mirë”, thotë për redaksinë tonë Merdiu, duke u lutur që sa më parë të shpëtojmë nga kjo situatë.