KMLDNj i fton qytetarët në protestë kundër KEDS-it!

KMLDNj i fton qytetarët në protestë kundër KEDS-it!

Prishtinë, 16 nëntor 2016 – Këshilli për Mbrojtjen, Liritë dhe të Drejtat e Njeriut (KMLDNJ) thotë se KEDS-i e ka nisur sezonin dimëror me shtrenjtim dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Për këtë arsye, KMDLNj thotë se po pret riaktivizimin e protestave të qytetarëve. Sipas kësaj organizate, protestat janë në interes të qytetarëve, pavarësisht përkatësive politike apo statusit shoqëror. “Sipas traditës, me të filluar sezoni dimëror, KEDS e fillon gjuetinë ndaj konsumatorit në Kosovë, duke i fryrë faturat me rritjen e çmimeve të rrymës. Dallimet e faturave midis muajit paraprak dhe ato të muajit tetor, janë 300 deri 400 përqind më të larta. Prandaj, shumë qytetarë janë ankuar në sportelet e KEDS-it por edhe në KMDLNj”, thuhet në reagimin e KMLDNJ-së, duke shtuar se tash KEDS nuk ka ku i ik fakteve që e dëshmojnë këtë konstatim. “Shkaku se KEDS ishte i zënë ‘me pelë për dore’ vitin e kaluar me njehsorët digjitalë dhe ‘gabimet’ gjatë faturimit, ka gjetur një metodë origjinale për t’i zbrazur xhepat e konsumatorëve, duke ua fryrë faturat për sasinë e pandryshuar të rrymës që e shpenzojnë. Janë shpikur shumë pozicione mashtruese për dënimin e konsumatorëve që i tejkalojnë limitet e rrymës së shpenzuar, duke e përfshirë në dënim tërë rrymën e shpenzuar e jo vetëm sasinë e rrymës së shpenzuar që e tejkalon limitin”, thuhet tutje në reagim, ku përkujtohet publiku se është protestuar disa herë kundër këtyre shpërdorimeve të KEDS-it dhe vetëm atëherë qytetarët e morën vëmendjen institucionale. “Mënyra tjetër që KEDS i dëmton konsumatorët e Kosovës, sidomos ata të zonave rurale, është reduktimi i furnizimit me rrymë që zgjatë me ditë të tëra kurse në Prishtinë, si kryeqytet i Kosovës, reduktimet zgjasin plotë katër orë e që është jonormale për kohën në paqes, aq më parë që gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, në Prishtinë nuk kishte ndërprerje të tilla me furnizim të rrymës. Me këtë ndërprerje 4-orëshe, qytetarët ndëshkohen keq, përkundër faktit se inkasimi për rrymën e shpenzuar bëhet me rregull dhe, pothuajse është i tërësishëm”, thuhet në komunikatën e KMLDNj-së.

Leave a Reply