Kapet nxënësi, i cili me revole shkonte në shkollë!

pistoleta nxenesi suharekeSuharekë, 30 prill 2014 – Një nxënës i shkollës fillore, në fshatin Grejkoc të Suharekës, është kapur nga policia, pasi është zbuluar se po mbante një armë në çantën e tij.
Zëdhënësi i Policisë rajonale në Prizren, Hazir Berisha, njoftoi se organet e rendit kishin marrë një informatë rreth orës 11:30 minuta, pas së cilës kanë vepruar menjëherë.
“Policia në Suharekë ka pranuar një informatë, përmes rrugëve operative të saj, e cila bënte me dije se një nxënës i klasës së 8-të, në shkollën e fshatit Grejkoc, në çantën e tij posedonte një pistoletë. Hetuesit policorë kanë shkuar në shkollën “Dëshmorët e Grejkocit” dhe, në marrëveshje me drejtorin e shkollës, kanë identifikuar nxënësin e armatosur, të cilit ia kanë sekuestruar një pistoletë të kalibrit 8 milimetra. Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit, i cili ka sugjeruar që rasti t’i kalojë prokurorisë me procedurë të rregullt”, ka njoftuar Berisha, duke apeluar tek prindërit që të shtojnë kontrollin ndaj fëmijëve të tyre.

Leave a Reply