Dita e parë e vitit në Dragash e qetë – Peizazh dimëror (Video)

dragashi janar 2015Dragash, 01 janar 2015 – Dita e parë e vitit 2015, qytezën e Dragashit e ka gjetur në qetësi absolute, pas mbrëmjes së zhurmshme nga fishekzjarrët dhe njerëz të shumtë që shënuan çastin e ndërrimit të moteve.
Në ditën e parë të vitit nuk është raportuar për ndonjë aksident në këtë komunë, ndonëse aktivitete individuale ka pasur mjaftë, për dallim nga mungesa e aktiviteteve të organizuara prej pushtetit lokal, i cili vazhdon traditën e mosshënimit të kësaj nate më të gjatë të vitit. Madje, zyrtarët e Komunës, në ditën e fundit të vitit që sapo e përcollëm, dyert e Komunës i kanë mbyllur në mesditë, për tu marrë me obligimet familjare nëpër fshatrat e tyre, në mënyrë që festën e ndërrimit të moteve ta kremtojnë sa më mirë.
Falë kujdesit të vet banorëve të qytezës, nuk është shënuar asnjë veprim i padëshiruar, pavarësisht se Dragashi dukej i braktisur nga të gjithë, madje edhe nga institucionet që do të duhej të kujdestaronin në këtë natë të gjatë, ku dominojnë gjithandej krismat. Ndërkaq, moti në ditën e parë të vitit 2015, ndonëse me temperatura tejet të ulëta, që sipas termometrit arriti deri n -13 shkallë, ka mbretëruar me qiell krejtësisht të kthjellët, duke krijuar një panoramë mahnitëse dimërore.

Kliko këtu për VIDEO