Vëllezërit Lecaj publikojnë mallin për Prizrenin!

vellezerit lecaj malli prizrenPrizren, 11 maj 2015 – Ditë më parë është publikuar kënga me e re e vëllezërve Lecaj “Mall për Prizrenin”, e cila po pëlqehet nga adhuruesit e këngëve të mirëfillta dhe tradicionale qytetare.
Këngëtarët nga fshati Brezne të Dragashit, që janë transferuar tashmë në Prizren, Riad e Mirhat Lecaj, kanë realizuar një këngë që po vlerësohet dhe po pëlqehet në masë të madhe nga ata që kanë dashuri për muzikën e mirëfilltë qytetare shqiptare. Siç ka thënë për Radio Sharrin, njëri nga dy vëllezërit Lecaj, Riadi, këngën “Mall për Prizrenin” ua kanë dedikuar atyre që janë të lidhur ngushtë me qytetin historik të Prizrenit. “Ua kemi dedikuar atyre që aktualisht nuk jetojnë në qytetin tonë historik. Këtë projekt e kemi realizuar për t’i ruajtur dhe kultivuar vlerat e mirëfillta të muzikës sonë popullore”, thotë Riad Lecaj.
Vëllezërit Lecaj, në karrierën e tyre të deritanishme kanë kënduar shumë këngë folklorike, në koncerte të ndryshme, diasporë, festave të ndryshme kombëtare, por edhe nëpër mbrëmje muzikore. Me paraqitjen e tyre, ata çdo herë kanë dëshmuar se janë burim i pashtershëm i këngëve popullore që lidhen ngushtë me motive tradicionale shqiptare, siç është edhe kënga e fundit “Mall për Prizrenin”, tekstin e së cilës e ka shkruar profesori në Shkollën e Mesme në Dragash, Ismet Lecaj.
Vëllezërit, Mirhat dhe Rijad Lecaj, janë lindur ne fshatin Brezne, në krahinën e Opojës së Dragashit. Hapat e parë në muzikë i filluan në shkollat e kësaj krahine dhe në kuadër të shoqërive kultur-artistike nga Opoja, për tu inkuadruar më pas në shoqërinë kulturo-artistike “Besa” nga Prizreni dhe më vonë në shoqërinë e mirënjohur “Agimi”.
Albumin e parë e incizuan me këngë folklorike, për të vazhduar me disa albume tjera në zhanrin popullor. Aktualisht aktivitetin e tyre e ushtrojnë në ansamblin e këngëve dhe valleve popullore “Lidhja e Prizrenit”, duke dhënë kontribut edhe për gjeneratat e reja.

• Shiko klipin – VIDEO

Leave a Reply