Prishtinë, 22 dhjetor 2025 – Këngëtari i njohur, Shemsi Krasniqi – Shemi, i grupit muzikor “Ilirët”, është gjetur sot i vdekur në banesën e tij. Lajmi është bërë i ditur nga portalet, të cilat janë thirrur në burimet e tyre, në fqinjësi të këngëtarit të ndjerë.
Shemsi Krasniqi, i njohur si Shemi, i cili ndërroi jetë në moshën 64-vjeçare, ishte njëri nga zërat më të njohur dhe më ikonik të muzikës rok, duke lënë gjurmë të pashlyera në skenën tonë muzikore.
I lindur në Prishtinë, në vitin 1961, pa i mbushur të njëzetat nisi karrierën muzikore, duke performuar për herë të parë në festivalin e dikurshëm në Kosovë “Rinia këndon”. Në vitet e 80-ta, Shemi u bë vokalist i grupit të famshëm “Ilirët”, ku me zërin dhe interpretimin e tij solli këngë që u bënë pjesë e identitetit kulturor shqiptar. Fillimisht me këngën “Zgjohu Kosovë” e më pas me këngën “Xhamadani vija – vija”, Shemi i dha shpirt muzikës sonë duke pasqyruar ndjenjat dhe realitetin e shqiptarëve. Përveç interpretimit, Shemi ishte edhe autor i shumicës së teksteve të këngëve të grupit, duke u frymëzuar shpesh nga gjendja e vështirë e shqiptarëve dhe historia e familjes së tij, përfshirë të atin që kishte mbijetuar nga Masakra e Tivarit.
Kujtojmë se në mars të vitit 2020, në kohën e pandemisë, Shemit i kishte vdekur bashkëshortja, Shpresa, për të cilën vuajti deri në ditën e sotme, kur edhe ai kaloi në amshim.
Vdes, Shemsi Krasniqi – Shemi!
POSTIMI I RADHËSVetim Ramadani emërohet nënkryetar i Komunës!
