Dragash, 02 gusht 2025 – Edhe zyrtarisht është konfirmuar se deputiti i Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha, i cili vjen nga regjioni i Gorës së Dragashit, është sulmuar brutalisht pasditen e së premtes, sapo ka përfunduar një manifestim kulturor-letrar që ishte organizuar në këtë trevë.
Ngjarja ka ndodhur afër fshatit Zlipotok të Dragashit, kur deputeti Hoxha, i cili shoqërohej nga bashkëshortja dhe vajza e tij e mitur, janë sulmuar fizikisht nga një person i njohur në këto anë, Safet Kushi. Ky i fundit e kishte sulmuar verbalisht edhe vite më parë deputinin Hoxha, për të cilin rast kishte raportuar edhe redaksia jonë.
Për ngjarjen e djeshme ka raportuar sot edhe policia, duke thënë se sulmuesi ndodhet në ndalim 48-orësh, me urdhër të prokurorit. “Rrreth orës 18:00, mbrëmë është arrestuar një person, pasi që i njëjti, pas një mosmarrëveshje, është përleshur me viktimat, një mashkull dhe dy femra. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Prizrenit, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.
Ngjarja është raportuar, fillimisht nga QKMF-ja e Dragashit, ku viktimat janë paraqitur për ndihmë mjekësore. “Pas trajtimit fillestar, ata janë transferuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku sipas raportit të mjekëve, lëndimet janë klasifikuar si të lehta”, thuhet në njoftim.
Policia e stacionit në Dragash dhe Njësiti i Hetimeve, në bashkëpunim me hetuesit rajonalë, kanë vepruar menjëherë, duke marrë parasysh ndjeshmërinë dhe rëndësinë publike të rastit.
Për motivin e këtij incidenti nuk është raportuar ende nga organet përkatese. Por, redaksia jonë ka kontaktuar me deputetin Hoxha, nga i cili ka mësuar se krejt kjo ngjarje ka prapavi politike, marrë parasysh edhe veprimet e Safet Kushit, i cili me vite të tëra e ka sulmuar atë verbalisht por edhe publikisht përmes postimeve në Facebook. “Ju e dini se personi në fjalë nuk është qytetar i thjeshtë. Ai është marrë vazhdimisht me politikë, madje edhe pati garuar për kryetar të Komunës, ku pas humbjes e ka shpallur vetën si kryetar të Komunës së Gorës. Para ca vitesh ishim në gjykatë pikërisht për sulmet e tia, ku edhe është denuar me të holla”, tha mes tjerash Hoxha.
Mësohet se organet e drejtësisë po e trajtojnë rastin me prioritet të lartë për shkak të përfshirjes së një zyrtari të lartë të shtetit. Nga ana tjetër, Hoxha sqaron se Kushi, fillimisht e kishte sulmuar bashkëshorten e tij e më pas edhe vetë atë dhe vajzën e tij të mitur. “Ky person nuk rresht së sulmuari, tash e disa vjet. Edhe pse ishte denuar, pikërisht për sulm ndaj meje, ai nuk është ndalur asnjëherë duke më sulmuar nga Zvicra, ku edhe jeton, përmes rrjeteve sociale, duke shpifur lloj-lloj gjërash për mua, ndërkohë që unë, si përfaqësues legjitim i komunitetit goran në Kuvendin e Republikës së Kosovës jam munduar të bëj më të mirën e mundshme për këtë trevë, tash e sa vite që mbaj këtë pozitë, të cilën po ma jep komuniteti ynë në disa palë zgjedhje”, tha Hoxha për redaksinë tonë, duke potencuar se edhe ky sulm ishte kryekëput politik.
Kujtojmë se, Safet Kushi (61), në Facebook, përpos faqes së tij “Safet Gradonacelnik Kusi” (Safet Kryebashkiaku Kushi) administron edhe grupin më aktiv goran “Opstina Gora” (Komuna e Gorës) ku nuk rresht së kërkuari, siç thotë, Komunën e Pavarur të Gorës, duke i komentuar politikisht shumë zyrtarë legjitim të Komunës së Dragashit, veçmas ata nga treva e gorës. Por, vazhdimisht deputetin, Adem Hoxha, e quan hajdut dhe mashtrues.