Selim Kryeziu shpall fituese LDK-në – Reagon Mujdin Jusufi!

Selim Kryeziu shpall fituese LDK-në – Reagon Mujdin Jusufi!

Dragash, 12 qershor 2017 – Kryetari i LDK-së në Dragash, Selim Kryeziu, në një postim në Facebook i ka falënderuar qytetarët e komunës së Dragashit, të cilët e kanë votuar më së shumti koalicionin rreth LDK-së, duke i nxjerrë të parët në këtë komunë. Por, Kryeziu ka thënë se në Dragash LDK doli e para dhe jo koalicioni. “Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Dragash, është parti e parë në nivel të komunës. Faleminderit për besimin e dhënë. Faleminderit Kryesisë e kryetarëve të nëndegëve. Faleminderit Forumit Rinor, faleminderit të gjithë ish nxënësve të mi. Kush të do mund të flas çfarë të dojë, por nuk ka forcë që jua ndryshon bindjen ju dhe gjithë atyre që më njohin për së afërmi. E dashur rini, për ju ia vlen të jetohet, për ju ia vlen edhe të vdiset”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.
Kjo ka bërë që sekretari i AKR-së, Mujdin Jusufi, të ndihet i prekur, duke thënë se në Dragash nuk ka dalë në zgjedhjet e djeshme LDK-ja e para por i gjithë koalicioni, pjesë e të cilit është edhe partia e tij. “Nuk ka fituar LDK-ja në Dragash, por ka fituar koalicioni, në të cilin është edhe partia jonë. Vetëm Behxhet Pacolli, i cili ishte me numrin 2 në listën e koalicionit, ka fituar 740 vota. Që domethënë, nëse koalicioni ynë ka dalë fitues, me diferencën rreth 150 vota, kundrejt koalicionit që udhëhiqet nga PDK-ja, kjo i bie që votat e z. Pacolli kanë qenë me ndikim dhe jo se LDK është rritur në këtë komunë”, ka thënë Jusufi për redaksinë tonë, duke shtuar se nuk është e ndershme që të krekoset asnjeri subjekt veçmas. “Ndonëse vazhdojmë të jemi koalicion, nuk është mirë që partitë që e përbëjnë këtë koalicion t’i marrin meritat e fitores si subjekt dhe jo si koalicion. Ndryshe, po të minusohen vetëm votat e z. Pacolli, LDK do të ishte nën koalicionin që udhëhiqet nga PDK-ja”, u shpreh Jusufi për radion tonë.