Kryeziu: Mos u mbushni maraz për fatin e LDK-së – Ka kush kujdeset!

selim kryeziu ldkDragash, 05 mars 2016 – Pas ngjarjeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, ku kreu i PDK-së – Hashim Thaçi u zgjodh president i vendit me votat e partnerit të saj në koalicion – LDK-së, duket se kritikat e anëtarësisë së kësaj të fundit nuk rreshtin. Pa u prekur nuk ka mbetur as dega e LDK-së në Dragash, ku komentues kritik në rrjetet sociale, duket se e kanë bezdisur kryetarin e degës, Selim Kryeziun. Ky i fundit, në një postim që ka bërë sot në faqen ë tij, në Facebook, i ka porositur të gjitha ata kritikues që mos të brengosen për këtë parti sepse ka kush brengoset për të. “Unë respektoj mendimet ndryshe. Po fyerja nuk është as mendim, as vlerësim, as vlerë e asgjë. Fyerja është mungesë argumenti, është mungesë kulture. Respektoj të gjithë ata që kritikojnë e më kritikojnë, por që njëkohësisht edhe punojnë dhe e duan LDK-në. Kuptoj dhe kam mirëkuptim për frustrimet e Juaja të momentit, pakënaqësitë dhe brengat Tuaja, sepse ato janë të lidhura me dëshirën Tuaj për një LDK më të mirë dhe më të fuqishme. Thjeshtë, kemi një shtëpi të përbashkët – LDK-në, e cila është, sa e imja edhe e Juaja dhe, rrjedhimisht, kemi edhe brengat e përbashkëta. Gjithsesi, nuk është mençuri që fjalët e fundit të thuhen të parat.
Ju të tjerëve ju them që mos të mbusheni maraz për fatin e LDK-së sepse ka kush kujdeset për Të”, ka shkruar mes tjerash Kryeziu.