Rinia e LDK-së zgjedh kryesinë – Respektohet barazia gjinore!

Rinia e LDK-së zgjedh kryesinë – Respektohet barazia gjinore!

Dragash, 04 korrik 2022 – Forumi Rinor i LDK-së, dega në Dragash, mbrëmë ka përfunduar procesin zgjedhor, duke zgjedhur kryetarin dhe kryesinë. Lajmin e ka bërë të ditur kreu shumëvjeçar i këtij forumi, Vetim Ramadani, i cili sot mban postin e drejtorit të Administratës komunale. “Përvojë e jashtëzakonshme, aktivitete pafund, njohje të reja, dinamikë dhe emocione, të cilat për pesë vite radhazi na shoqëruan, tashmë i përfunduam me organizimin e një kuvendi madhështor, ku edhe zgjodhëm kryetarin dhe kryesinë e re të Forumit të Rinisë së LDK – Dragash. Falënderues pafund për mundësinë e ushtrimit të aktivitetit politik, shtëpisë sonë politike, Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka shkruar Ramadani në profilin e tij në Facebook, duke e uruar kryesinë e re dhe kryetarin, Besart Mehmetin.
Ndaj kësaj ngjarje ka reaguar edhe kreu i Komunës, Bexhet Xheladini, duke bërë me dije se, kryesia e re prej katër anëtarëve, tashmë ka dy femra. “Përfundoi me sukses Kuvendi i 9-të zgjedhor i FR të LDK-së, ku u zgjodh kryesia, delegatët dhe 4 nënkryetarë. Për herë të parë, dy nga ta janë femra”, ka shkruar Xheladini, duke iu dëshiruar suksese drejtuesve të rinj të forumit.