Konkluzionet nga mbledhja e kryesisë së PDK-së!

mbledhja kryesia pdkPrishtinë, 13 janar 2016 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në mbledhjen e sotme të kryesisë, nuk kanë folur për liderin e ri të partisë por për situatën aktuale politike në vend. Pas debatit dhe diskutimeve, kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, doli më këto qëndrime:

  • Partia Demokratike e Kosovës thekson nevojën për normalizimin e plotë të situatës politike dhe krijimin e kushteve për funksionimin e institucioneve të vendit, në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe normat demokratike.
  • Partia Demokratike e Kosovës shpreh besimin se zgjidhja e situatës aktuale duhet të bëhet përmes dialogut politik në institucionet e Kosovës dhe i bën thirrje gjithë spektrit politik për dialog institucional ndërpartiak, pa përjashtim.
  • Partia Demokratike e Kosovës do të fuqizojë partneritetin ndërkombëtar, në funksion të forcimit të shtetit, si dhe për zbatimin e Marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje më ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
  • Partia Demokratike e Kosovës e konsideron me prioritet të veçantë angazhimin për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit dhe proceset e integrimit euro-atlantik.
  • Partia e Demokratike e Kosovës angazhohet që sa më parë të krijohen Forcat e Armatosura të Kosovës.
  • Partia Demokratike e Kosovës angazhohet për implementimin e programit të Qeverisë dhe fuqizimin e partneritetit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve tanë.
  • Partia Demokratike e Kosovës do të respektojë marrëveshjen politike me partnerët e koalicionit dhe në pajtim me procedurat kushtetuese do të nominojë kandidatin për President të Republikës së Kosovës, që do të zgjidhet në Kuvendin e Kosovës, sipas afateve kushtetuese.
  • Partia Demokratike e Kosovës kundërshton aktet e dhunës të ushtruara ndaj institucioneve shtetërore dhe organeve të rendit, si dhe fton qytetarët që të distancohen nga të gjitha aktet e dhunës.
  • Partia Demokratike e Kosovës do të zhvillojë aktivitete më të gjera dhe më intensive në terren me të gjitha strukturat e saj, e përkushtuar për të treguar se rruga e vetme e forcimit të sovranitetit, zhvillimit ekonomik dhe fuqizimit të shtetit tonë është respektimi i institucioneve legjitime, thellimi i partneritetit me SHBA-në dhe BE-në, bashkëpunimi me fqinjët dhe shtetet e tjera demokratike të botës, si dhe integrimi i shtetit tonë në strukturat euro-atlantike.

Leave a Reply