Restelica nuk e duron ndalesën për therjen e kurbaneve në rrugë!

ndalesa therja publikeDragash, 22 shtator 2015 – Komuna e Dragashit ka vendosur që t’i ndalojë therjet e kafshëve nëpër rrugët e vendbanimeve, siç ndodh gjithnjë natën e Bajramit në dy fshatrat më të mëdha, në Restelicë të Gorës dhe Bresanë të Opojës.
Rreth dy muaj më parë, përmes një njoftimi publik, Komuna e ka ndaluar këtë dukuri në fshatin Bresanë, ku është respektuar dhe nuk është ndier asnjë kundërshtim.
Por, në prag të Kurban Bajramit, një njoftim i tillë që është shpërndarë në fshatin Restelicë, duket se nuk do të zbatohet aq lehtë. Madje, janë paraqitur kundërshtimet e para në rrjetet sociale, ku vendimi po konsiderohet si arbitrar dhe në kundërshtim me traditat e këtij fshati. Kundërshtimit i ka paraprirë edhe radioja lokale që vepron në këtë fshat, përmes së cilës po kundërshtohet kjo ndalesë, duke kërkuar më shumë sqarime. “Pas këtij njoftimi, në mesin e banorëve është shfaqur revolta. Ata po konsiderojnë se me këtë ndalesë po iu cenohen të drejtat në ushtrimin e traditave në këtë fshat”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, drejtuesi i radios lokale në këtë fshat, Nesim Hoxha.
Në komentet e ndjekësve të tij mund të lexohen kundërshtimet publike, madje edhe etiketimet për drejtuesit e Komunës dhe Kosovës. Njëri nga komentuesit e ka quajtur Kosovën “shtet kaur”, me që, sipas tij, një vendim të këtillë nuk mund ta nxirrnin myslimanët. “Shtet kaur, ligjet kaure, udhëheqësit kaurë, përkrahësit kaurë”, ka komentuar ky lexues.

Leave a Reply