Policia e Dragashit po i vetëdijeson nxënësit!

Policia e Dragashit po i vetëdijeson nxënësit!

Dragash, 22 nëntor 2017 – Bazuar në planin Operativ “Stop drogave nëpër shkolla”, Policia e Kosovës, respektivisht ata nga Stacioni policor në Dragash, kanë marrë të gjitha masat për implementimin e këtij plani, ku pjesë e tij është edhe ligjërimi nëpër shkolla për vetëdijesimin e nxënësve mbi rreziqet që sjellin përdorimi i lëndëve narkotike.
Njësiti për Komunitet nga Stacioni policor i Dragashit, në bashkëpunim me DKA-në dhe QKMF-në, ka organizuar sot një ligjëratë me nxënësit e klasave të XII-ta të shkollës së mesme “Ruzhdi Berisha” në Dragash, ku në sallën e Kuvendit të Komunës ishin të pranishëm rreth 100 nxënës të kësaj shkolle nga të gjitha përkatësitë etnike. Për këtë qëllim, ligjërata është mbajtur në gjuhët përkatëse, në mënyrë që ky mision vetëdijesimi të kuptohej nga të gjithë.
Isuf Isufi, zyrtar për Komunitetet pranë Stacionit policor në Dragash, tha për redaksinë tonë se ky institucion i sigurisë, gjatë tërë vitit është marrë më vetëdijesimin e nxënësve për fushat që jetën e tyre e bëjnë më të rehatshme. “Nëpër të gjitha shkollat e komunës sonë, ne kemi kryer aktivitete vetëdijesimi, si për sigurinë në trafik, parandalimin e duhanit dhe lëndëve narkotike etj. Por, duke i shikuar rezultatet tona, ne nuk do të ndalojmë së vepruari, pasi jemi të vetëdijshëm se më mirë është të parandalohen dukuritë negative se sa të merremi pastaj me pasojat e tyre”, tha Isufi.

Leave a Reply