Përfundimisht, Shabani garon edhe për një mandat në Dragash

Përfundimisht, Shabani garon edhe për një mandat në Dragash

Dragash, 13 gusht 2021 – Pas shumë hamendjeve, përfundimisht merret vesh se kryetari aktual i Dragashit, Shaban Shabani, do të garojë edhe për një mandat në këtë post, si kandidat i PDK-së, në zgjedhjet lokale të cilat pritet të mbahen me 17 tetor 2021. Lajmin e ka konfirmuar vetë Shabani për redaksinë tonë, duke potencuar se ky ishte propozim nga kreu i partisë, Memli Krasniqi, me të cilin janë takuar sot në Prishtinë, ku kanë diskutuar edhe për rezultatet e gjertanishme të qeverisjes së PDK-së në Dragash.
“Sot u zyrtarizua kandidatura ime edhe për një mandat në krye të Komunës së Dragashit, si rezultat i punës sime të gjertanishme, ku realisht kam pasur shumë sfida, veçmas ballafaqimi me pandeminë e cila ende po vazhdon. Pavarësisht kësaj, partia jonë ka menduar që më mirë është të vazhdojmë me këtë ballafaqim, se sa të vijë dikush nga e para dhe, derisa nuk futet në rrjedha të proceseve, kalon kohë e gjatë e që rrjedhimisht nuk është në favor të qytetarëve. Ajo për çfarë mund të krenohem në këtë mandat, është fakti se komunën tonë e lidhem me rrugë edhe me Maqedoninë e Veriut, kur i shtohet lidhja me Shqipërinë dhe me rrugë dytësore me Prizrenin, tashmë nuk mund të themi se jemi ‘Zorrë Qorre’ si dikur”, tha Shabani për redaksinë tonë.
Ajo çfarë e karakterizon kryetarin aktual, Shaban Shabanin, është fakti se ka përjetuar katër qeveri gjatë mandatit të tij, gjë që ka ndikuar edhe tek stabiliteti politik në vend, rrjedhimisht edhe në mirëqenien e qytetarëve.