Dragash, 10 tetor 2025 – Me dhimbje të thellë u përcoll në banesën e fundit vogëlushja, Esra Ibrahimi (13), e cila humbi jetën mbrëmë nga shpërthimi i një bombole gazi, në shtëpinë e saj në fshatin Shajne të Opojës, komuna e Dragashit.
Një dedikim për nxënësen e shkollës “Fetah Sylejmani” në Dragash e ka bërë edhe drejtori i kësaj vatre arsimore, ku Esra i vijonte mësimet, Mehadin Gërdellaj, duke u shprehur se humbja e kësaj nxënëseje ka krijuar boshllëk të thellë në shkollën e tyre. “Me pikëllim të thellë njoftojmë se është ndarë nga jeta, Esra Ibrahimi, nxënëse e klasës VIII-2. Ky lajm për ndarjen e saj të parakohshme nga jeta na ka tronditur të gjithëve. Sot, mësuesit, shokët, shoqet dhe e gjithë shkolla jonë ndjejnë boshllëkun e madh që la pas një zemër e pastër e plot dritë. Esra do të kujtohet përherë si një vajzë e sjellshme, e dashur dhe e buzëqeshur që me praninë e saj sillte gëzim e mirësi. Në këtë ditë të dhimbshme, iu shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Ibrahimi, shoqërisë dhe të gjithë atyre që ndajnë dhimbjen për humbjen e saj”, ka shkruar Gërdellaj.