Një muaj arrest shtëpiak për zv-komandantin e Policisë së Dragashit!

Një muaj arrest shtëpiak për zv-komandantin e Policisë së Dragashit!

Prizren, 06 qershor 2017 – Gjykata Themelore e Prizrenit e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, duke i caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji, Elam Seferit, zv-komandant i Policisë së Kosovës në Dragash.
Sipas komunikatës që ka publikuar sot kjo gjykatë, Seferi do të izolohet në shtëpinë e tij, në fshatin Lubovisht të Gorës së Dragashit. “I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal sepse më datën 01.05.2017, rreth orës 11:00, në fshatin Brodosanë, komuna e Dragashit, si person zyrtar, nuk e përmbush detyrimin e tij në kuadër të kompetencave që ka. I pandehuri, keqpërdor pozitën e tij zyrtare, ku pas përgatitjeve të ekipit në përbërje prej nëntë personave, me qëllim të kryerjes së planit rreth zbatimit të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren për arrestimin e të dënuarit (M.Q), pasi shkojnë në shtëpinë e të dënuarit, i dënuari e nxjerr revolen duke kundërshtuar zbatimin e urdhrit, reperton dy herë armën duke kërkuar të komunikojë vetëm me togerin (E.S). Ky i fundit jep urdhër që të tjerët të dalin jashtë dhe mbetet vetëm me të dënuarin, duke e bindur atë që ta lë armën dhe të mundësojë ekzekutimin e urdhëresës. Togeri e lejon të dënuarin që të hyjë brenda në shtëpi, me pretekst për t’u veshur. Pas një kohe, bashkëshortja e të dënuarit e njofton togerin se ai kishte ikur. Togeri nuk ndërmerr veprimet në vijim që i takojnë sipas detyrës zyrtare, në drejtim të ekzekutimit të urdhëresës-zënien e të dënuarit por i jep urdhër ekipit policor për tërheqje nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Leave a Reply