Nisma “Prizreni në UNESCO” – Asnjë zbatim i rekomandimeve!


OLYMPUS DIGITAL CAMERAPrizren, 08 gusht 2014 – Në kuadër të projektit të monitorimit të transparencës së ekzekutivit komunal të Prizrenit organizata “EC Ma Ndryshe”, gjatë muajve të fundit ka hulumtuar çështjen e implementimit të rekomandimeve të dala nga konferenca dyditore “Prizreni dhe UNESCO, alternativat e përfshirjes”.
Në bazë të informatave që monitoruesit kanë grumbulluar nga zyrtarët përgjegjës komunalë, del se ekzekutivi i Prizrenit nuk ka ndërmarrë masa për zbatimin e asnjërit prej rekomandimeve të kësaj konference, për organizimin e së cilës ishin shpenzuar mbi 4.500 euro nga buxheti komunal. Raporti mbi zhvillimet e konferencës, veç pjesës përmbledhëse, ka edhe kapitullin e konkluzioneve dhe rekomandimeve që përmban 13 pika, në të cilat parashihen veprime të ndryshme që duhet t’i ndërmarrë Komuna e Prizrenit, në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore e rajonale, për tu përgatitur gradualisht për procesin e aplikimit në UNESCO. Sipas një komunikate për medie nga OJQ “EC Ma Ndryshe”, përgjigjet e marra nga zyrtarët komunalë konfirmojnë se ekzekutivi lokal i Prizrenit nuk e ka zbatuar asnjërin prej tyre dhe nuk ka ndonjë plan në këtë drejtim. Zyrtarët përgjegjës nga të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport janë përgjigjur se kjo drejtori “deri më tani nuk ka marrë kurrfarë njoftimi për hapat e mëtejmë që mund të jenë bërë pas konferencës së organizuar, për mundësinë e përfshirjes së qytetit të Prizrenit në UNESCO”.
DKRS’ja e Prizrenit ka njoftuar se konferenca është organizuar nga zyra e ish-nënkryetarit të Komunës së Prizrenit, Ruzhdi Rexha. Ky i fundit ka njoftuar se rekomandimet janë prezantuar tek kryetari i Komunës, gjatë një mbledhjeje të kolegjiumit të drejtorëve, me vërejtjen se ato duhet të implementohen dhe se asnjë hap nuk është ndërmarrë, pavarësisht premtimit se ato do të implementohen.
“EC Ma Ndryshe” i rekomandon Komunës së Prizrenit që të sjellë në vëmendje të politikave të saj publike raportin e shkurtër mbi zhvillimet e Konferencës “Prizreni dhe UNESCO” dhe ta nisë menjëherë zbatimin e rekomandimeve të paraqitura në këtë raport, siç janë: fillimi i procesit të përgatitjes së Dosjes për Aplikim në UNESCO, hulumtimi i dokumentacionit të viteve ’70 dhe komunikimit me UNESCO-n nga viti 2000, nisja e procesit të inventarizimit të aseteve kulturore të Prizrenit, kufizimi i ndërtimeve të reja derisa të hartohen planet e konservimit, si dhe bashkëpunimin me qytetet e rajonit që janë në listën e UNESCO-s, si Berati dhe Gjirokastra.