Gjuajnë me armë dhe përleshen me makina, sikurse në film!


film kriminal prizrenPrizren, 08 gusht 2014 – Dy persona të dyshuar kanë gjuajtur me armë zjarri në shtëpinë e një personi tjetër, në lagjen “Kurilla” të Prizrenit, njoftoi sot zëdhënësi i policisë në Prizren, Hazir Berisha. “Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë dy patrulla policore dhe një epror, për ta hetuar këtë rast.
Sipas informatave nga vendi i ngjarjes, dyshohet se dy meshkuj me një automjet (Golf IV) dhe të armatosur me kallashnikovë, kishin shkuar tek shtëpia e tre personave, ku kanë shtënë në drejtim të tyre. Pasi kanë pushuar të shtënat, njëri nga të sulmuarit që ndodhej në automjetin e tij (Audi), i ka dhënë furishëm automjetit, duke e goditur automjetin e sulmuesve, të cilin e hedhë në një oborr të huaj. Pasi ua kishte humbur ekuilibrin sulmuesve, nga goditja e befasishme, këta të fundit janë këndellur dhe sërish kanë filluar me të shtëna, por nuk është lënduar asnjëri”, ka thënë Berisha, duke shtuar se, përpos provave tjera materiale, policia ka sekuestruar edhe dy veturat e përfshira në këtë rast.
Si rezultat i gjithë kësaj ngjarje, që dukej sikur të ishte një film kriminal, katër personat po kërkohen nga policia, për të cilin kërkim është formuar një grup i posaçëm hetimor.