Nga SHML “Ruzhdi Berisha” kryetari Xheladini uron vitin e ri shkollor

Nga SHML “Ruzhdi Berisha” kryetari Xheladini uron vitin e ri shkollor

Dragash, 03 tetor 2022 – Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, i shoqëruar nga nënkryetari, Resul Fetahu, si dhe drejtori i Arsimit, Selim Kryeziu, ka vizituar institucionin më të lartë arsimor në këtë komunë, Shkollën e Mesme të Lartë “Ruzhdi Berisha” në Dragash, ku ka përcjellë nga afër fillimin e këtij viti shkollor dhe gjendjen e përgjithshme në arsim. Mes tjerash, kryetari Xheladini i ka uruar nxënësit për këtë fillim, i cili është vonuar një muaj, shkaku i grevës së mësimdhënësve. “Të dashur nxënës e prindër, të nderuar mësues! Më lejoni që në cilësinë e kryetarit të Komunës dhe në emër të atyre që i përfaqësoj, t’ju uroj fillim të mbar të vitit shkollor 2022/2023, me vullnetin dhe dëshirën më të mirë që të punojmë të gjithë bashkë për të pasur një vit shkollor sa më të mbarë e të suksesshëm. Dita e parë e shkollës është një moment emocional dhe shumë i veçantë për nxënësit, mësuesit, prindërit e posaçërisht parashkollorët dhe nxënësit e klasës së parë, të cilët ia mësyjnë bankave shkollore për herë të parë. Nxënës të dashur! Mësoni. Ky është misioni juaj i parë. Pastaj, duajeni  shkollën, kujdesuni për të, sikurse për shtëpinë tuaj. Bëhuni nxënës shembullorë, pajisuni me dituri, respektoni mësuesit, sikurse prindërit tuaj. Të nderuar mësues! Ushtroni misionin tuaj të shenjët dhe bëni nxënësit tuaj të dijshëm, të edukuar dhe të aftë për t’u përballuar me të gjitha sfidat e jetës. Duajini nxënësit tuaj dhe respektoni ata, sikurse të jenë fëmijët tuaj. Kurrë të mos harroni se jeni shtresa më e rëndësishme dhe më e respektuar e shoqërisë. Nga ju dhe puna juaj varet e ardhmja e fëmijëve dhe e shtetit tonë. Bëni më të mirën e mundshme, në kushtet që i keni. Të dashur prindër! Bashkëpunimi i ngushtë, mësues-nxënës-prindër, është më se i nevojshëm dhe i domosdoshëm për arritjen e objektivave, andaj bëhuni edhe ju pjesë e pa ndashme e shkollës dhe e suksesit. I nderuar  drejtor i Arsimit, z. Selim Kryeziu, urime fillimi i vitit shkollor dhe njëherësh të përgëzoj dhe të falënderoj për punën e bërë, masat që i keni  ndërmarrë dhe investimet që i keni bërë në lëmin e arsimit, për një fillim sa më me sukses të këtij viti shkollor. Të nderuar mësues, prindër, nxënës, staf udhëheqës arsimor, në punën tuaj të shenjtë do të keni mbështetjen time maksimale”, ka thënë mes tjerash kryetari Xheladini.