Kryetari i Komunës së Dragashit nuk pajtohet me arsyet e MAPL-së!

Kryetari i Komunës së Dragashit nuk pajtohet me arsyet e MAPL-së!

Dragash, 08 dhjetor 2023 – Në Shkresën njoftuese të MAPL-së, lidhur me mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Dragashit, ku edhe u shkarkua kryesuesi i Kuvendit, është konstatuar një shkelje procedurale, prandaj kryesuesi ende mbetet legjitim në këtë detyrë. Lidhur me këtë, ka reaguar i pari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, duke thënë se, bazuar në këtë arsyetim, po krijohet një pengesë për të ardhmen. Sipas tij, pothuajse gjatë zhvillimit të punimeve në secilën mbledhje, kryesuesi ka dalë jashtë dhe mbledhjen e ka drejtuar po ai zv-kryesues që e vazhdoi edhe mbledhjen e fundit, por që asnjëherë nuk ka pasur vërejtje nga MAPL. “Pas inskenimeve dhe përpjekjeve të dështuara për  të krijuar një klimë të papërshtatshme për vazhdimin e seancës, kryesuesi i Kuvendit e ka lëshuar sallën dhe, në vend të anëtarit më të vjetër të Kuvendit, kryesimin e mbledhjes e ka vazhduar zëvendëskryesuesi i Kuvendit, ashtu siç ka bërë edhe në disa seanca të tjera, ku janë marrë vendime të rëndësishme dhe MAPL, pas shqyrtimit të tyre, i ka kthyer si të ligjshme. Me këtë konstatim, për mbledhjen e fundit, nga ana e MAPL-së, konsiderojmë se është krijuar një precedent i rrezikshëm, i cili mund të përdorët edhe për zëvendëskryesuesit shqiptarë të kuvendeve komunale, në ato komuna ku shqiptarët nuk janë shumicë. Aktin më skandaloz, antiligjor dhe jodemokratik e ka bërë vetë kryesuesi në largim, duke refuzuar ta nënshkruaj thirrjen e seancës së jashtëzakonshme. Ai e ka keqpërdorë pozitën e tij dhe ka shkelur në mënyrë flagrante Nenin 6.2 të Udhëzimit Administrativ,  Nr.02/2015 për Mbajtjen e Mbledhjeve të Kuvendit të Komunës, i cili e obligon kryesuesin e Kuvendit të Komunës të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme, sipas kërkesës së 1/3-tës së anëtarëve të Kuvendit, apo me kërkesë të kryetarit të Komunës. Kësisoj, mosrespektimi i vullnetit të shumicës së kuvendarëve, për interesa individuale të ruajtjes së një pozite, përveç shkelje të ligjit, njëkohësisht përbën edhe shkelje të rëndë të parimeve demokratike dhe është shembull joetik se si duhet të sillet një i zgjedhur i qytetarëve. Pretendimet e Qendrës së LVV-së në Dragash se kryetari Xheladini paska tentuar të kontrollojë seancën, janë të pavërteta dhe tendencioze. Pas përfundimit të pikës së parë të rendit të ditës, unë i kam kërkuar  një asambleisteje që të vazhdoj të qëndroj në sallë, pasi që në rend të ditës kanë qenë për shqyrtim edhe dy pika të tjera. Ndërrimi i kryesuesit të Kuvendit Komunal në Dragash, i cili ka kohë që e ka humbur legjitimitetin përmes shkeljeve sistematike të Rregullores së Punës së Kuvendit, është vullnet politik i shumicës së delegatëve të këtij Kuvendi të zgjedhur me votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve. Si parti që udhëheq me qeverisjen lokale në Dragash, së bashku me partnerët e koalicionit, nuk do të zmbrapsemi nga përpjekjet për të krijuar një legjislativ lokal funksional, ku mbizotëron  gjuha parlamentare, debatet konstruktive dhe përfaqësimi dinjitoz i interesave të qytetarëve tanë, në organin më të lartë vendimmarrës të Komunës së Dragashit”, thuhet në reagimin e kryetarit të Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini.