Nesër bllokohet Laku i Keq – Shfrytëzojeni udhën kah Zaplluxhja!

Nesër bllokohet Laku i Keq – Shfrytëzojeni udhën kah Zaplluxhja!

Dragash, 15 qershor 2021 – Kompania “RENELUAL TAHIRI” ka njoftuar se, të mërkurën, më 16 qershor 2021, që nga mëngjesi i hershëm e deri në mesnatë, do të merret me asfaltimin e Lakut të Keq, në udhën, Zhur – Dragash, prandaj kjo udhë do të jetë krejtësisht e bllokuar, sidomos për automjetet e rënda.
Njoftimin për këtë bllokim e kanë konfirmuar për redaksinë tonë edhe kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, si dhe komandanti i Stacionit Policor në Dragash, Shaqir Uka. “Gjithçka është e kordinuar dhe kjo udhë do të jetë e bllokuar për shkak të punimeve specifike që do të zhvillohen tek Laku i Keq, ku edhe do të shtrohet asfalti”, ka thënë për redaksinë tonë, komandanti Shaqir Uka.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës, Shaban Shabani, ka thënë se qarkullimi për në Prizren, të mërkurën do të zhvillohet në udhën alternative, nga fshati Zaplluxhe. “Për fat, sot nuk kemi vetëm një udhë lidhëse me Prizrenin por kemi dy variante. Pavarësisht se një pjese të vendbanimeve tona do t’iu bie më larg, vetëm për të mërkurën nuk do t’iu prish shumë punë, po që se do ta dijnë me kohë se udha kah Zhuri do të jetë e bllokuar”, tha kryetari Shaban Shabani.