Në QKMF filloi aksioni vetëdijësues mbi gjidhënien

Në QKMF filloi aksioni vetëdijësues mbi gjidhënien

Dragash, 04 tetor 2021 – Nën moton “Mbroje Gjidhënien”, edhe në Dragash nisi shënimi i Javës së Gjidhënies, aktivitet ky që do të vazhdojë edhe nesër, organizuar nga “Action for Mothers and Children” (AMC), mbështetur nga UNICEF – Kosovo Programme.
Siç tha për redaksinë tonë, motra Nexhipe Berisha, ky aksion do të vijojë përgjatë kësaj jave, ndërsa në Dragash është paraparë që të manifestohet edhe nesër. “Sot e nisëm, për ta vazhduar edhe nesër me shpërndarjen e informatave mbi gjidhënien, në mënyrë që ta rrisim vetëdijen mbi përfitimet që nëna dhe foshnja kanë nga gjidhënja. Duke qenë se jemi në pandemi dhe shumë nëna mund të kenë dilema mbi efektin e vaksinimit në procesin e gjidhënies, dëshirojmë të rikujtojmë se studimet e fundit tregojnë që gratë të cilat ushqejnë foshnjat e tyre me gji dhe që kanë marrë vaksinën kundër Covid-19 kanë antitrupa në qumështin e gjirit e që mund të ndihmojnë në mbrojtjen e foshnjave të tyre”, tha Berisha duke i ftuar të gjitha gratë shtatzëna dhe gjidhënëse që të vaksinohen, në mënyrë që ta mbrojnë vetën dhe foshnjat e tyre.