Mjekët e Dragashit protestojnë – Kërkojnë kushte më të mira!

Mjekët e Dragashit protestojnë – Kërkojnë kushte më të mira!

Dragash, 29 mars 2017 – Punonjësit shëndetësorë në QKMF “Adem Berisha” në Dragash sot kanë protestuar, duke kërkuar kushte më të mira. Njëkohësisht, ata u janë bashkuar kolegëve të tyre në mbarë vendin, të cilët protestuan rreth një orë, pasi nuk janë të kënaqur me kushtet e punës dhe as me pagat që marrin.
Kryetari i Sindikatës në këtë institucion shëndetësor të Dragashit, Zeqir Veliu, tha për
redaksinë tonë se po kërkojnë rritjen e pagave për 15 përqind, koeficiente unike për të gjithë
stafin e QKMF-së, përfilljen e Federatës së Sindikatave Shëndetësore të Kosovës (FSSHK), si dhe stimulimin e punëtorëve që dalin në terren. “Me këto paga, përkundër përgjegjësisë dhe rrezikshmërisë që kemi në punë, sidomos mosvlerësimi moral që na bëhet, është e pamundur të punohet. Nëse duam institucion normal dhe shërbime adekuate mjekësore, atëherë duhet menduar edhe për pagat, kushtet për ne, si dhe vlerësim moral të punës sonë”, tha Veliu, duke paralajmëruar se mantelbardhët nuk do t’i durojnë më këto kushte.
Protesta e punonjësve shëndetësorë, që ata e quajtën paralajmëruese, zgjati nga ora tetë deri
në orën 9:00, e më pas iu kthyen vendeve të tyre të punës.

Leave a Reply