Granit Rifaj kërkon të ndalohen zgjedhjet serbe në Gorë!

Granit Rifaj kërkon të ndalohen zgjedhjet serbe në Gorë!

Dragash, 28 mars 2017 – Këshilltari në Kuvendin e Komunës së Dragashit, nga radhët e PDK-së, Granit Rifaj, ka shprehur shqetësimin e tij në mbledhjen e rregullt të Komitetit Komunal për Komunitete, rreth paralajmërimeve se zgjedhjet për presidentin serb do të zhvillohen edhe në trevën e Gorës së Dragashit, ndonëse nuk ka asnjë serb në këtë trevë. “Dua të shpreh një shqetësim shumë të madh të banorëve të komunës sonë, pa marr parasysh bindjet politike apo kombëtare. Fjala është për zgjedhjet serbe që ka gjasa të zhvillohen edhe në komunën tonë. Jemi të njoftuar se, sikurse deri më tani, edhe për zgjedhjet e 2 prillit për kryetar të Serbisë, do të hapen vendvotimet në fshatin Vraniç. Kjo është bërë e ditur edhe përmes Radio Sharrit, ku është publikuar edhe lista që ka përgatitur shteti serb, e ku treva e Gorës së Dragashit konsiderohet si Komunë në vete, ashtu siç ishte krijuar në kohën e kryekriminelit Milosheviq. Sipas këtyre listave, në trevën e Gorës do të hapet një qendër votimi me 4 vendvotime. Qendra do të jetë në shkollën e fshatit Vraniç, ku dihet se vepron Komuna paralele që menaxhohet nga Serbia. Ani pse deri më tani askush nga autoritetet lokale dhe qendrore nuk është deklaruar për këto zgjedhje, unë dua të paralajmëroj se bartësit e këtij procesi në trevën e Gorës janë mobilizuar maksimalisht, duke bërë edhe fushatë nëpër rrjetet sociale”, ka deklaruar Rifaj në Komitet, duke i dhënë rëndësi dhe duke i besuar një lajmi të publikuar në portalin e radios sonë. “Të nderuar kolegë, duke e ditur se Radio Sharri nuk boton tema, sa për të marrë klikime, por shtjellon me maturi ngjarje, kjo më bën të shqetësohem, pasi në trevën e Gorës dhe gjithë komunën tonë nuk jeton asnjë serb, prandaj ju bëj thirrje që në çdo mënyrë t’i luftojmë veprimet e këtilla, gjithmonë në suaza ligjore, duke e mbrojtur sovranitetin e vendit. Së bashku mund ta ndihmojmë integrimin e plotë të komunitetit nga Gora, pasi që problemi kryesor që pengon integrimin e tyre, janë pikërisht institucionet paralele serbe”, ka thënë Rifaj, i cili u përkrah vetëm nga kryesuesi i këtij komiteti, Kapllan Fetahu (LDK), por jo edhe nga anëtarët tjerë, të cilët nuk komentuan fare.
Megjithatë, të gjithë anëtarët e komitetit u pajtuan që ky shqetësim të përcillet edhe në Kuvendin e Komunës, duke kërkuar që të debatohet rreth kësaj dukurie që po e përcjell këtë komunë, tash e sa vjet.