Bean Haxhiasan: “Mos i dëmtoni shenjat”

Bean Haxhiasan: “Mos i dëmtoni shenjat”

Dragash, 28 mars 2017 – Drejtoria komunale për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit në Dragash, apelon tek banorët e kësaj komune që mos t’i pengojnë punëtorët, të cilët po i vendosin tabelat me emrat e rrugëve, si dhe që t’i ruajnë të njëjtat pasi ato të vendosen.
Drejtori i kësaj drejtorie, Bean Haxhiasan, i tha redaksisë sonë se ky apel pason pengesat që po i hasin punëtorët dhe njëkohësisht edhe dëmtimin e shtyllave ku do të vendosen tabelat. “Këto ditë, në vendbanimet tona po vendosen shtyllat, të cilat do t’i mbajnë tabelat me emrat e rrugëve, bazuar në sistemin e adresave dhe vendimit të Kuvendit të Komunës së Dragashit, i cili miratoi projektin e financuar nga Komisioni Evropian. Por, projekti po has në pengesa, pasi qytetarët nuk po i lënë të lirë punëtorët që ta bëjnë punën e tyre”, tha Haxhiasan, duke apeluar tek banorët që t’i ruajnë ato shenja, në mënyrë që sistemi i adresave të funksionalizohet dhe në këtë mënyrë të jemi të barabartë me çdo vendbanim të civilizuar dhe me adresa të sakta.
Kujtojmë se Komisioni Evropian e ka financuar këtë projekt madhor në Kosovë, ndërkohë që Kuvendi i Komunës së Dragashit e ka miratuar vendimin në vitin 2015, që në këtë komunë të zbatohet projekti, duke formuar paraprakisht një komision, i cili ka bërë emërtimin e çdo rruge në vendbanimet e kësaj komune.

Leave a Reply