Fjalimi i Blerta Nallit në Krushe të Madhe (Video)

jabllanoviq ik tutjeKrushe e Madhe, 18 janar 2015 – Në protestën e mbajtur sot në fshatin Krushe e Madhe, kundër ministrit Jabllanoviq, fjalimi i Blerta Nallit i preku të gjithë ata që e përcollën këtë ngjarje. Madje, u prekën edhe ata që e përcollën përmes televizioneve, apo edhe në rrjetet sociale.

Fjalimi i plotë:

U mblodhëm sot që njëzëri të shprehemi kundër atij që iu hedhë epitete, të cilat në të vërtetë i takojnë vetëm atij dhe vëllezërve të tij. Jemi mbledhur, pas 16 viteve, t’iu tregojmë pjesëtarëve të qeverisë sonë “përrallën tonë të luftës”, sepse duket që e kanë harruar. T’iu shpjegojmë njëherë e mirë, se kanë qenë njëherë e një kohë disa egërsira, se ka egërsirë mbi egërsirë, ama ata ishin mbretërit e egërsirave. E ndoshta ky Jabllanoviqi, që bëhet sikur s’merr vesh nga “përrallat e luftës”, me këta egërsira mund të ketë pasur edhe lidhje gjaku. Se mos na humb rendi i “përrallës”.
Jabllanoviq dhe ju që keni harruar të kaluarën, kjo “përrallë”, ne dhe miliona si ne, na e skëterrosën jetën. Kafshimi i tyre i helmuar deri në palcë, na i mbylli shtëpitë, na i shkretoi rrugët, na i zezoi nuset, na i mbyti zërat e fëmijëve, na i hapi me qindra varre, qindra plagë që edhe sot e kësaj dite nuk u mbyllën. Pse? Sepse kjo qe strategjia e luftës së tyre të pistë. Ata, për çdo vjet ngacmojnë plagët egërsisht, siç janë vet. Si të mos mjaftonte kjo, ata vjet e për vjet na sjellin nga dy e tre eshtra të të pagjeturve dhe, tani vijnë e na fyejnë në tokën tonë. Athua flemë të qetë, ne që jemi të kafshuarit e kësaj “përralle”?
Ju, kolegë të tij, që këto ditë po heshtni, e në këtë heshtje medoemos e miratoni fjalën e tij, a egërsirë ju duket një nënë që mëngjes e mbrëmje qanë për bijtë e vrarë pafajësisht? Një nënë tjetër që, e vetme, pret eshtrat e bijve, tash e 16 vjet? Egërsira ju ngjajnë këto? A nuk është më e egër ardhja e krimineleve në vendin e krimit? Ç’politikë të ndyrë po bëni, duke i shkelur ata që ju sollën në këtë ditë? Cila fe është më e rëndësishme se miliona të vrarë e qindra të pagjetur? Athua e ka vendin aty? I takon athua posti i ministrit? Mua më ngjall neveri, Jabllanoviq ministër i Qeverisë së Kosovës, 16 vite pas luftës. Po e shqiptoj mirë, 16 vite pas luftës. E gjuha e tij e pistë flet, kinse se di që ka pasur luftë.
Po flas në emër të familjarëve zemërplasur nga luftës, zemërplasur nga vëllezërit e baballarët e Jabllanoviqit të Qeverisë sonë, kinse paqësore. Do të kisha thënë gjithçka e që do të ishte e drejtë. Në të vërtetë e meriton se na e nxinë jetën.
Ne, këtë Liri ende s’po e shijojmë se nuk është Liri e plotë. Ardhja e krimineleve në vendin e krimit, e rikthen dhe një herë dhimbjen e luftës. Përderisa ne e hamë veten me dhimbjen tonë, ata bëjnë pazarllëqe me kriminelë. Gjithsesi, le të mbetet në ndërgjegjen e tyre të pandërgjegjësuar.
Gjithsesi, këtij i duhet t’ia tregojmë rrugën, andej nga e kishte ardhjen, se si ka hije posti. Le të ik atje e le t’i lutet nënës, që t’ia tregoj para gjumit “përrallën e luftës”, qoftë edhe në mënyrën e tyre të pistë. E, ta shohim pastaj a do të flejë i qetë. Në të vërtetë, uroj të mos flejë kurrë i qetë!

• Shiko VIDEO