Një shekull jetë, por “exhelit” ende i frikësohet!

hamza sadiku krusheRahovec, 02 janar 2014 – Haxhi Hamza (Hamza Sadiku) festoi edhe vitin e ri 2014. Ai iu ka mbijetuar dy luftërave dhe është bërë baba 18 herë rresht. Jeta e ka “përplasur” nëpër sfida, përplot një shekull. Shumë vjet të jetës së tij i kaloi duke u përballur me varfërinë. Por, asnjëherë nuk u dorëzua. Punoi pareshtur, derisa i mbushi 100 vjet.
Hamza Sadiku, banor i fshatit Krushë e Madhe, në komunën e Rahovecit, është një personazh jo fort i zakonshëm në këtë fshat. Në letërnjoftimin e tij shkruan se ka lindur më 1923, por ai rrëfen se e kanë regjistruar me vonesë. “Këtu më shkruan se kam lindur me 1923, mirëpo atëherë më kanë regjistruar kur unë i kam pasur 12 ose 13 vjet. Kur koha ishte që të regjistrohesha në shkollë. Duhet të shkonim patjetër në shkollë dhe të mësonim diçka, e po ashtu duhet ta mësonim edhe gjuhën serbe”, thotë Hamza. Megjithatë, Ai kishte bërë katër vjet shkollë në atë kohë. Nisi klasën e parë, në kohën kur filloi për herë të parë arsimi në fshatin e tij. Mirëpo, prindërit ia ndërprenë mësimin, sepse ishte kalitur të punon dhe duhej të punonte për familjen. “Varfëria ishte shumë e madhe dhe duhej të punonim të gjithë, i madh e i vogël. Nuk kemi pasur bukë të hanim dhe vuanim shumë. Atëkohë kanë vdekur edhe njerëz nga varfëria. Kjo gjendje ka qenë, deri më 1947”, thotë Hamza Sadiku, teksa tregon jetën e tij, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, transmeton Tribuna. Kushtet e jetës, Hamza Sadiku thotë se i ishin përmirësuar vetëm gjatë kohës së komunizmit, kur ish-Jugosllavia udhëhiqej nga Josip Broz Tito. Ai rrëfen se e martuan kur ishte 26 vjeç dhe se nusen ia morën përmes një shkuesie.

Gruan nuk e kishte parë kurrë, deri në natën e martesës!

Varësisht kësaj, martesa e tij ishte e mirë. Ai kishte pasur marrëdhënie të mira bashkëshortore, deri kur e shoqja i vdiq para pesë vjetësh, nga një sëmundje e rëndë. Vdekja e saj, e kishte goditur shumë plakun. “Kisha dhënë, kushedi se çka, veç me e kthye edhe njëherë në jetë. Askush nuk ka ditur të më kuptojë, sikurse ajo”, flet plaku me admirim për t’shoqen e ndjerë. Por, pavarësisht humbjes së plakës, ai nuk është i vetmuar. Për të kujdeset djali i tij dhe familjarët e ngushtë.
Hamza, edhe pse është i kënaqur shumë me kujdesin që i ofrohet, thotë se njerëzit në të kaluarën respektoheshin më shumë ndërmjet vete. “Tash ka ardhur një kohë shumë më e mirë, për shumë gjëra. Mirëpo, nuk ka respekt nga të rinjtë. Ka hupë respekti krejt”, shprehet plaku.
Edhe pse në këtë moshë, ai interesohet të dijë për gjithçka që ndodh përreth tij. Kërkon që çdoherë në vendet ku shkon familja e tij, të jetë i pranishëm edhe ai. Gjithashtu, i pëlqen të kuptojë për çdo gjë që sillet rreth tij. Nuk dëshiron që, për asnjë moment, të mbesë i vetëm në shtëpi. Nuk e fsheh frikën, se të vetëm “exheli” do ta ketë më të lehtë ta gjejë. “Po tutna me fjet vetëm. Nuk po më zë gjumi gjithë natën, kur jam vetëm”, shprehet plaku 101 vjeçar, i cili, përveç se njihet si më i vjetri në fshat, ai po ashtu njihet edhe si njeriu më punëtor. “Kur kam qen i ri, krejt bunarët me dorë i kam çelë. Kam punuar shumë. Deri në vitin e kaluar, kam pasur fuqi të punoj. Gjatë muajit korrik të vitit të kaluar, kam kositur rreth 20 ari jonxhë”, thotë Hamza, duke shtuar se puna e ka mbajtur të freskët dhe të fortë.
Trupi i tij, asnjëherë nuk ka marrë ndonjë medikament. Thotë se nuk e mban në mendje që të jetë sëmurë ndonjëherë. “Edhe pse kemi ecur këmbëzbathur, kemi punuar shumë edhe në të ftohtë, asnjëherë nuk jam sëmurë dhe asnjëherë nuk kam marrë medikamente”, thotë Hamza.
Të vetmin problem, aktualisht e ka dëgjimin. Por, nga sytë sheh aq mirë, sa që mund të lexojë edhe pa syze. Ende ecën në këmbë, kur viziton familjen e tij të gjerë. “Ende eci në këmbë. E kemi xhaminë shumë larg dhe po shkoj gjithmonë në këmbë. Dhe, çdokush që vdes në vendin tonë, shkoj për ngushëllime”, thotë ai, duke u shprehur se është i lumtur që asnjëherë në jetën e vet, nuk pati raporte të këqija me njerëz. Ajo që e urren plaku, është konfrontimi mes njerëzve. Konfliktet, thotë se i bien njerëzit e këqij. Prandaj, për fund, plaku i porositë të rinjtë, që të qëndrojnë sa më larg problemeve.

Leave a Reply