Adem Hoxha: Kërkojmë Komunën e Gorës, sepse na u premtua!

adem-hoxha-gora-400x318Dragash, 25 mars 2014 – Adem Hoxha, nuk e ka problem fare që mban dy poste. Madje, poste nga dy sisteme legjislative, atë të Kosovës dhe të Serbisë. Në sistemin e Kosovës, Hoxha është zëvendëskryesues i Kuvendit të Komunës së Dragashit, ndërkaq në sistemin e Serbisë, ushtron postin e kryetarit të Organeve të përkohshme të Komunës së Gorës, komunë kjo paralele që ende po funksionon në këtë trevë, e mbështetur nga Serbia. “Nuk prish punë, mund të më drejtoheni si të dëshironi. Edhe si kryetar i Organeve të përkohshme të Komunës së Gorës, por edhe si nënkryetar i Kuvendit të Komunës së Dragashit”, thotë për Radio Sharrin, Adem Hoxha, i cili, kohë më parë, pati deklaruar se nuk dëshiron bashkëqeverisje të Dragashit me PDK-në, nëse aty do të merrte pjesë edhe partia boshnjake nga Gora, VAKAT. “Ligji është ligj dhe, ne jemi fitues në Gorë, prandaj na takon të jemi pjesë e qeverisë komunale të Dragashit, nga minoritetet”, thotë Hoxha, duke shtuar se, edhe në komunën që vepron me ligjet e Serbisë, po ka mjaftë punë. “Siç e shihni, kemi shume punë edhe këtu. Njerëzit kërkojnë lloj–lloj dokumentesh, si certifikata të ndryshme, shtetësi serbe etj. Por, nuk janë vetëm goranët ata që kërkojnë të tilla dokumente. Ka edhe shqiptarë që i duan këto dokumente, për arsye të ndryshme”, pohon Hoxha, duke i mohuar zërat, se disa mësimdhënës që punojnë me plan-program të Serbisë në shkollat e Gorës, po e kërcënojnë se do ta braktisin këtë program, për t’iu rikthyer plan-programeve të Kosovës. “Assesi… Gjithçka në këtë drejtim po shkon mirë dhe nuk kemi të tilla probleme”, thotë ai, duke sqaruar edhe arsyet, se përse partia e tij (CDU) lidhi koalicion me PDK-në, në zgjedhjet e fundit lokale, ku dolën fitues në trevën e Gorës, duke e mposhtur subjektin VAKAT, i cili për dy mandate bashkëqeverisi në Dragash me PDK-në. “Ne këmbëngulim që ta krijojmë Komunën legale të Gorës, në kuadër të institucioneve të Kosovës, sepse na takon. Në regjistrimin e fundit që u zhvillua në Kosovë, ka rezultuar se mbi 70% e banorëve të Gorës janë deklaruar si goranë me përkatësi etnike, ose mbi 9 mijë banorë. Prandaj, ne na takon Komuna, të cilën na e kanë premtuar institucionet qendrore të Kosovës”, thotë Hoxha, duke qartësuar se, nuk janë duke kërkuar një Komunë gorano-boshnjake, por ekskluzivisht si Komunë gorane. “Kërkojmë Komunën e Gorës për goranët, jo si komunë gorano-boshnjake, edhe pse të gjithë që jetojnë në këtë hapësirë do t’i përkasin kësaj komune, me seli në Dragash, sipas kufijve kadastral që ka treva e Gorës, ku përfshihet edhe një pjesë e qytezës së Dragashit”, thotë hoxha, i cili shkon më tej, duke thënë se, për të gjitha këto, ekziston një marrëveshje me qeverinë e Kosovës, sipas së cilës, gjashtë muaj pas zgjedhjeve lokale, do të formohet Komuna e Gorës, me seli në Dragash.

Leave a Reply