Kryetari i Dragashit fillon diskutimin publik për strategjinë e zhvillimit ekonomik

Kryetari i Dragashit fillon diskutimin publik për strategjinë e zhvillimit ekonomik

Dragash, 21 maj 2022 – Në kuadër të diskutimit publik me qytetarë, kreu i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, takoi dje banorët e fshatrave Zaplluxhe, Blaç, Kuk dhe Buzez, ku u mirëprit nga të pranishmit, pasi kjo është një formë ndryshe e komunikimit me banorët e kësaj komune. “Konsideroj që kjo formë e bashkëbisedimit është shumë e dobishme. Nesër vazhdojmë takimet sipas orarit të paraparë”, tha shkurt pas takimit kryetari Xheladini, i cili paraprakisht ka publikuar orarin e takimeve nëpër secilin lokalitet të komunës së Dragashit.
Sipas kryetarit, organizimi i takimeve të këtilla me qytetarët, ka të bëj me dëgjimin nga afër të kërkesave të tyre. “Duke pasur parasysh përkushtimin për përmbushjen e kërkesave të qytetarëve, po përdorim mekanizma të këshillimeve dhe dëgjimeve të drejtpërdrejta të qytetarëve, ku propozimet për çështjet e interesit të tyre do t’i marrim nga dora e parë”, tha Xheladini, duke i ftuar qytetarët që të japin kontributin e tyre në hartimin e strategjisë komunale për zhvillim.