UN Women vazhdon mbështetjen për Dragashin!

UN Women vazhdon mbështetjen për Dragashin!

Dragash, 18 maj 2022 – Në Dragash është mbajtur sot mbledhja e dytë me radhë e grupit punues për zhvillimin e Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal. Takimi i dytë i këtij grupi u zhvillua në prani të përfaqësuesve të UN Women (Entiteti i Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore), të cilët janë shprehur të gatshëm që të ofrojnë ndihmë teknike për integrimin e perspektivës gjinore në hartimin e këtij dokumenti tejet të rëndësishëm për komunën e Dragashit. Specialistja e programeve në UN Women, Linda Ukmata Sanaja, tha se me Komunën e Dragashit, deri më tani, Zyra përfaqësuese në Kosovë ka pasur partneritet të shkëlqyer në adresimin e çështjeve që lidhen me barazinë gjinore. “Përmes programit regjional ‘Financimi Transformativ për Barazi Gjinore’, Komuna e Dragashit është përzgjedhur për t’i ofruar mbështetje edhe për implementimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor, e që kjo nënkupton ndarje të buxhetit ekzistues publik në mënyrë të barabartë, si për burrat ashtu edhe për gratë”, tha Linda Ukmata Sanaja.
Në anën tjetër, i pari i Komunës së Dragashit, Behxhet Xheladini, u shpreh se ky dokument është “Abetarja” e Komunës së Dragashit, e cila e ka prioritet integrimin e perspektivës gjinore në këtë plan. “Jemi të përkushtuar që, bashkë me ekipin tonë të drejtorëve, t’i shtyjmë përpara çështjet që ndërlidhen me barazinë gjinore, në mënyrë që të kemi një shoqëri sa më të barabartë”, tha kryetari Xheladini.
Zotimet e kryetarit i mbështeten edhe drejtori i Arsimit, Selim Kryeziu, ai i Ekonomisë, Qamil Kolloni, ajo e Kulturës, Liridona Misinaj, Zyrtarja për Barazi Gjinore, Lindita Piraj, si dhe drejtori i Administratës, Vetim Ramadani. Që të gjithë thanë se do të bashkëveprojnë që kjo strategji të avancohet edhe më shumë në praktikën e filluar nga kjo garniturë drejtuese e Komunës së Dragashit, e cila edhe në fushatën parazgjedhore ishte zotuar se do të sjellë ndryshime edhe në këtë aspekt.
Në fund, përfaqësuesit e UN Women u zotuan se do të vazhdojnë të punojnë me Dragashin, në mënyrë që t’iu ofrohet përkrahje zyrtarëve komunalë në kryerjen e analizave gjinore, për të parë se në cilët sektorë ka më shumë pabarazi gjinore. Gjithashtu, zotime u dhanë edhe në ofrimin e rekomandimeve se si të zbutet pabarazia gjinore në këtë komunë.