Kosova bëhet me letërnjoftime biometrike

bajram rexhepi biometrikePrishtinë, 09 dhjetor 2013 – Sot janë lëshuar letërnjoftimet e para biometrike për shtetasit e Republikës së Kosovës, në një ceremoni, në të cilën morën pjesë ministra, diplomatë, deputetë, si dhe përfaqësuesit e kompanisë gjermane, e cila i ka prodhuar këto letërnjoftime.
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bajram Rexhepi, tha se me lëshimin e letërnjoftimeve biometrike, po përmbushet edhe një kriter për procesin e liberalizimit të vizave. “Fillimi i lëshimit të letërnjoftimeve biometrikë, është një ditë e rëndësishme për Kosovën.
Kjo është në vazhdën e përmbushjes së kritereve për liberalizmin e vizave dhe për procesin e integrimit evropian”, ka thënë Rexhepi, sipas të cilit, nga këto letërnjoftime do të përfitojnë shumë qytetarët e Kosovës. “Këto letërnjoftime biometrike, janë të kualitetit shumë të lartë, për arsye se, në çipin e tij, kemi futur të dhëna të avancuara, të cilat do të jenë obliguese edhe për shtetet e Bashkimit Evropian, që nga viti 2015”, është shprehur Rexhepi.
Në këtë ceremoni u bë e ditur se, për t’u pajisur me letërnjoftim të ri biometrik, kërkohet një taksë administrative prej 10 eurosh, e cila do të reflektojë koston e projektit që ka kushtuar 7 milionë e 800 mijë euro. Projekti parasheh që, brenda 3 vjetësh, të lëshohen rreth 1 milion e 700 mijë letërnjoftime.