Adnan Januzaj, në gjurmët e David Beckham!

adnan januzaj futbollistLondër, 15 prill 2014 – Mesfushori shqiptar, me origjinë nga Kosova, ​Adnan Januzaj, duket se po ndjek rrugën e ish-lojtarit të “Djajve të Kuq”. Agjenti belg i 19-vjeçarit, ka arritur një marrëveshje me grupin sportiv të investimeve “Doyen”, i cili do të kujdeset për të drejtat komerciale të tij. Në këtë grup bën pjesë edhe publicisti që kujdeset për të drejtat e imazhit të, David Beckham. Nën kontratë me këtë kompani janë edhe të tjerë emra të mëdhenj, si Neymar, Xavi, Alvaro Negredo dhe Boris Becker.
Sipas “Daily Mail”, kompania në fjalë do të ketë një peshë të madhe edhe në vendimin që do të marrë djaloshi për kombëtaren, të cilën do ta përfaqësojë në të ardhmen. Në këtë aspekt, ky është një lajm negativ për Shqipërinë, pasi “Doyen” synon tregje të mëdha dhe, në këtë rast, imazhi i 19-vjeçarit rritet, vetëm nëse ai luan për një skuadër prestigjioze, si Anglia apo Belgjika. Gjatë javëve të fundit është folur shpesh për një afrim të mundshëm të Januzajt me Belgjikën, pasi trajneri Wilmots e kërkon atë me ngulm, për ta aktivizuar në Kupën e Botës, e cila starton gjatë muajit qershor të këtij viti në Brazil.

Leave a Reply