Djemtë e Kosovës synojnë t’i befasojnë kroatët!

Djemtë e Kosovës synojnë t’i befasojnë kroatët!

Shkodër, 06 tetor 2016 – Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të luaj sonte me Kroacinë, në orën 20:45, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për eliminatoret e Kupës së Botës 2018.
Kjo është ndeshja e dytë ndërkombëtare e Kosovës, pas barazimit (1:1) ndaj Finlandës. Në prag të ndeshjes, trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, u shpreh se do të ketë një përballje interesante. “Jemi përgatitur mirë dhe jemi të gatshëm të ndeshemi me një ekip të madh, me lojtarë botërorë”, ka thënë Bunjaku, duke shtuar se lojtarët e tij janë në formë të mirë dhe se përfaqësuesja e Kosovës duhet të jap 120 përqind nga vetja për këtë ndeshje e cila, sipas tij, është e vështirë. “Mendoj se jo çdo herë fiton kualiteti”, ka theksuar Bunjaku.
Edhe homologu i tij nga Kroacia, Ante Caçiq, ka thënë se pret rezultat pozitiv në këtë ndeshje, edhe pse skuadra kroate llogaritet favorite. “Pres një lojë të fortë, për të cilën jashtëzakonisht jemi të motivuar. Kosova është ekip i ri, ka lojtarë të mirë, sidomos në repartin sulmues. Na pret një lojë e vështirë”, ka thënë Caçiq.
Ndeshja luhet në Shkodër, pasi Kosova ende nuk ka stadium të certifikuar nga UEFA.