Delaui: Politikanët po krijojnë ndasi në popullatë!

Delaui: Politikanët po krijojnë ndasi në popullatë!

Dragash, 06 tetor 2016 – Ambasadori amerikan në vendin tonë, Greg Delaui, i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit, Usmen Ballxhi, ka qëndruar sot në Dragash, ku mori pjesë në promovimin e programit “Amerika me Kosovën”, në kuadër të të cilit u prezantuan edhe aktivitete të ndryshme nga institucionet vendore, me karakter vetëdijesimin e qytetarëve për një ardhmëri paqësore dhe pa dhunë në Kosovë.
Ndonëse ishte paralajmëruar se ambasadori amerikan do të shoqërohej nga ministri, Arsim Bajrami, ky i fundit arriti me vonesë, por që e takoi ambasadorin, teksa ai po përshëndetej në largim e sipër. Delaui mbajti një fjalim para nxënësve të shkollës së mesme “Ruzhdi Berisha” me tematikën që kishte të bënte me luftimin e ekstremizmit, dhunën, politikën aktuale si dhe promovimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike, dhunën në familje, arsimin dhe zhvillimin profesional të të rinjve. Ai nuk u kursye nga kritikat që ua drejtoi politikanëve, duke i quajtur përçarës dhe jo liderë unifikues. “Politikanët, më shumë po e përçajnë popullatën se sa që po e unifikojnë. Ata nuk janë në rrugën e duhur, për të cilën qytetarët kanë nevojë. Ardhmërinë e Kosovës e keni ju në duar dhe vetëm ju mund ta drejtoni në rrugë të drejtë, demokratike dhe tolerante midis komuniteteve”, tha mes tjerash ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delaui.

Leave a Reply