Bajrami: Sistemi serb i Arsimit në Gorë, do të shuhet gradualisht!

Bajrami: Sistemi serb i Arsimit në Gorë, do të shuhet gradualisht!

Dragash, 06 tetor 2016 – Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i shoqëruar nga zëvendësi i tij, Usmen Ballxhi, i cili është nga treva e Gorës, kanë marrë pjesë në promovimin e programit “Amerika me Kosovën” në Dragash.
Ndonëse arriti me vonesë, megjithatë ministri Bajrami iu drejtua nxënësve të shkollës së mesme “Ruzhdi Berisha”, ashtu siç veproi më herët ambasadori amerikan, ku tha se ky aktivitet është një rast i mirë që të dëshmohet se në Kosovë mund të jetohet bashkë dhe se Kosova është një vend i lirë dhe demokratik, ku respektohen vlerat e secilit dhe ku diversiteti është vlerë e veçantë e shtetit. “Kosova nuk është vend i radikalizmit. Kosova është vend i paqes, tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës. Është shembulli më i mirë në rajon, ku në një shkollë mësojnë së bashku fëmijët e komuniteteve të ndryshme”, tha Bajrami, i cili iu drejtua nxënësve në dy gjuhë, shqip dhe boshnjakisht.
Ministri Bajrami, gjatë qëndrimit në Dragash, është pritur nga kryetari i Komunës, Salim Jenuzi, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në këtë komunë, sidomos mundësitë e integrimit të të gjitha komuniteteve në sistemin e arsimit të Kosovës.
Në pyetjen që iu parashtruar nga Radio Sharri, se çfarë do të bëhet me strukturat paralele të arsimit serb, që veprojnë në trevën e Gorës, ministri Bajrami tha se, integrimi i komuniteteve në sistemin e arsimit të Kosovës është i mundur dhe duhet të bëhet gradualisht. “Është në interesin edhe të nxënësve të kësaj treve që të mësojnë sipas programeve që ofron sistemi ynë arsimor, të cilat janë të përshtatshme me programet shkollore të vendeve evropiane”, tha Bajrami.

Leave a Reply