Konkursin për drejtorë shkollash, NISMA e quan luftë klanesh!

nisma per kosovenPrizren, 28 korrik 2015 – Mosmarrëveshjet në Komunën e Prizrenit, lidhur me konkursin për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave, i cili është shpallur më 16 korrik 2015, subjekti politik NISMA po e konsideron si “vërtetim të konstatimeve të saj” se ky konkurs është politik. “Kjo, sepse po publikohet në kohën, kur pritet që Prizreni të shkojë në zgjedhje të parakohshme për kryetar Komune. Gjithashtu, po synohet të zgjidhen drejtorë të shkollave njerëzit e afërt me pushtetin”, thuhet mes tjerash në komunikatën e këtij subjekti, duke shtuar se, në këtë konkurs po vërehet edhe një fenomen tjetër.
“Fjala është për mosmarrëveshjet në mes të Zyrës sw Personelit dhe drejtorit të DKA- së, se kush duhet ta shpallë konkursin, kush duhet ta menaxhojë atw etj. Gjithashtu ka edhe dallime thelbësore rreth kushteve e kritereve, të cilat duhet t’i plotësojnë kandidatët për drejtorë shkollash. Pa dashur të paragjykojmë epilogun e këtij konkursi, ne si parti politike opozitare, konstatojmë se Komuna e Prizrenit, në rastin konkret, po dëshmon se në vendimmarrjet e tyre, dispozitat ligjore po i interpreton sipas interesave të klaneve të caktuara dhe secili dëshiron të tregohet më i fortë se tjetri politikisht. Vetëm në Komunën e Prizrenit, ndodhë që një drejtor komunal (drejtori i DKA-së) të kërkojë ‘mbrojtjen’ e ligjshmërisë në nivel qendror, konkretisht në MASHT dhe Komisionin Parlamentar për Arsim të Kosovës, duke anashkaluar institucionin e Kryetarit të Komunës. Ky veprim dëshmon për politizimin e arsimit në Prizren, të cilin e kanë sjellë në një gjendje të rënduar. Lufta mes Zyrës së Personelit, me në krye Isa Gashin, dhe DKA-së së Nexhat Çoçajt, mbetet ende e hapur. Kjo tregon edhe njëherë se ky pushtet punon për interesa të ngushta klanore dhe asnjëherë nuk respekton dispozitat ligjore në asnjë konkurs, çka do të thotë se nuk punojnë asnjëherë në interes të përgjithshëm të qytetarëve”, përfundon komunikata e degës së partisë NISMA në Prizren.

Leave a Reply