Hoxhaj kërkon njohjen e Kosovës edhe në Beograd!


enver hoxhaj beogradBeograd, 23 tetor 2014 – Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë fjalës së tij në Konferencën e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në Beograd, ka thënë se prania e Kosovës në konferencën e këtij niveli në Serbi, flet për të arriturat e rajonit.
Ministri Hoxhaj ka thënë se janë tri faza nëpër të cilat raportet e Kosovës me Serbinë do t’i kalojnë, duke përmendur fillimin e dialogut, në vitin 2011, fazën aktuale si të ndërmjetme, duke vendosur komunikim të drejtpërdrejt dhe që do të duhej të përfundojë me Traktatin e Miqësisë. “Nuk mund ta shmang rëndësinë dhe peshën që ka prania jonë në Serbi, veçmas e një ministri të Jashtëm në këtë format. Nëse ka diçka që e shpjegon për të mirë ndryshimin në rajon, është dialogu me Serbinë dhe të arriturat ndërmjet dy vendeve. Konsideroj se tani po hyjmë në një fazë të re të komunikimit të drejtpërdrejt të përafrimit, që në diplomaci njihet edhe si ‘Rapprochement’. Faza e tretë dhe e fundit është në një të ardhme 3-5 vjet, që t’i zgjidhim çështjet e hapura mes veti e që do të konkretizohej me Traktatin e Miqësisë, i cili përfshin njohjen e shtetit të Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, si dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, ka thënë Hoxhaj, me kërkesën e të cilit është vendosur që takimi i radhës i këtij formati, të mbahet në Kosovë.